spot_img
Friday, December 5, 2025
spot_img

Kanina një mozaik i historisë shqiptare/ Amaneti i Ismail Qemalit: Më varrosni në Kaninë!

Në emisionin Autokton të autores Anila Ahmataj u trajtua historiku i Kaninës dhe kështjellës së saj.

E ngritur mbi një kodër dominuese, në zemër të Labërisë, kështjella e Kaninës ka qenë një roje e heshtur e kohërave. Për më shumë se dy mijë vjet, ajo ka parë civilizime që ngrihen dhe bien, ka dëgjuar këngët e fitores dhe ofshamat e pushtimit. Mbi këta gurë, historia shqiptare është shkruar me gjak, krenari dhe qëndresë.

Në shekullin e IV para erës sonë, Kanina njihej si një nga vendbanimet ilire më të organizuara në jug të Ilirisë. Fisi i amantëve, që mbante nën kontroll luginën e Shushicës dhe vijën bregdetare, ndërtoi këtu një pikë kyçe strategjike dhe ekonomike.

Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar shtresa të jetës së pandërprerë që nga lashtësia, duke dëshmuar për një qendër që lidhej me rrjetet tregtare të Adriatikut dhe më
tej.”

Shekujt kaluan, dhe nën hijen e Perandorisë Bizantine, Kanina rifiton rëndësi. Rreth shekullit të gjashtë, gjatë sundimit të perandorit Justinian, kalaja rindërtohet dhe përforcohet me mure të reja, për t’u bërë pjesë e një zinxhiri mbrojtës ndaj sulmeve nga veriut dhe lindja.
Gurët e gdhendur me kujdes, teknika e ndërtimit dhe rrënojat e një kishe të hershme, tregojnë një epokë ku feja, pushteti dhe mbrojtja bashkëjetonin brenda mureve të kalasë.
Në shekujt XIII dhe XIV, Kanina bëhet pjesë e Principatës së Arbërit. Nën sundimin e Karl Topisë, kalaja përjeton një tjetër lulëzim. Pikërisht këtu, për një kohë, jetoi Mbretëresha Jelena e Anzhuinëve, një grua me ndikim të fortë në jetën politike të kohës.Kronikat e mesjetës e përmendin kalanë si një seli princërore, me oborr, mbrojtje dhe kulturë të zhvilluar, një qendër ku bashkoheshin ndikimet perëndimore dhe ato lindore. Në shekullin XIII, Kanina hyn në faqet e historisë europiane. Pikërisht këtu, në këtë kala, vendoset Jelena e Anzhuinëve, bashkëshortja e mbretit Karl Topia, një ndër figurat më të rëndësishme të Mesjetës shqiptare. Jelena ishte më shumë sesa një mbretëreshë: një grua e arsimuar, me ndikim politik, e cila përfaqësonte lidhjen mes principatës arbërore dhe fuqive perëndimore të kohës. Banimi i saj në Kaninë nuk ishte rastësor, kjo kala ofronte siguri, strategji dhe simbolikë.

Shekuj më pas, Kanina do të lidhet me një tjetër emër të madh: Gjergj Arianiti, bashkëluftëtar i Skënderbeut dhe një nga figurat më të respektuara të kohës.
Kjo zonë ka qenë gjithnjë një urë lidhëse mes krahinave, një strehë për qëndresën dhe mendimin e lirë.

Pak më herët, në fund të shekullit XIX, një emër tjetër i madh lidhet me Kaninën: Ismail Qemali. Kjo zonë u bë vatër patriotizmi, dijesh dhe përpjekjesh për të rilindur një komb të tërë.”Njeriu që ngriti flamurin më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali, ka rrënjë të thella në këtë tokë. Familja e tij ka ndikuar fuqishëm në formimin e tij patriotik dhe në përgatitjen për rrugën e vështirë të shtetformimit. Në shekujt XIX dhe XX, Kanina u bë vatër e mendimit të lirë. Këtu lindi dhe veproi një brez i tërë arsimtarësh dhe patriotësh, që themeluan shkolla, përhapën gjuhën shqipe dhe edukuan breza me frymën e kombit. Por lavdia e Kaninës nuk përfundon në Mesjetë. Në vitin 1920, gjatë Luftës së Vlorës banorët e Kaninës u rreshtuan pa hezitim përkrah patriotëve shqiptarë. Ata luftuan për tokën e tyre, për flamurin, për Shqipërinë.
Banorët e Kaninës, burra e gra, kontribuan në mënyrë aktive në këtë betejë për çlirim kombëtar. Kështjella e Kaninës nuk është thjesht një monument i kohës së shkuar. Ajo është kujtesa e gjallë e një populli që ka luftuar për të jetuar i lirë.
E ndërtuar nga ilirët, ripunuar nga bizantinët, banuar nga mbretër dhe princër arbër, e përdorur nga patriotët. Kanina është një mozaik i historisë shqiptare. Një fener mbi Labëri, që ende ndriçon.”

Kaninës nuk i mjafton kalaja për të treguar historinë e saj. Fshati vetë është një muze i gjallë, ku çdo rrugicë, çdo gur, çdo portë, ruan një kujtim dhe një rrëfim.”
“Në këtë vend, ku koha duket se ka ndaluar, gjenden rrënojat e kishave të vjetra paleokristiane dhe strukturat e xhamive karakteristike osmane.
Ato janë dëshmi të bashkëjetesës ndërfetare dhe të historisë së ndërlikuar të këtij vendi, ku feja nuk ka ndarë, por ka bashkuar. Rrugët e ngushta prej kalldrëmi, të rrethuara me mure guri, përshkojnë fshatin. Shtëpitë e Kaninës, prej guri ndërtuar nga mjeshtra të zonës, janë të forta dhe me një harmoni të rrallë ndaj natyrës përreth.

Në shtëpitë e Kaninës ruhen ende objekte të trashëguara brez pas brezi: qylafë, enë bakri, vegla bujqësore të vjetra, dhe kostume popullore të punuara me dorë.
Secila prej tyre është një faqe nga libri i pashkruar i historisë lokale.”
Por trashëgimia më e çmuar është ajo që nuk shihet me sy, por dëgjohet: gojëdhënat. Banorët e Kaninës ruajnë rrëfime për betejat, dashuritë, tragjeditë dhe mrekullitë e kësaj treve.

Janë histori që kalojnë nga goja në gojë, nga netët pranë zjarrit, te brezat e ardhshëm.

Kanina ka lindur edhe këngëtarë të njohur të polifonisë labe, rapsodë dhe instrumentistë që kanë përfaqësuar kulturën shqiptare në skena kombëtare dhe ndërkombëtare.
Zëri i Kaninës ka qenë gjithnjë i fuqishëm, herë me pushkë, herë me këngë.

Nëse Kalaja është zemra e Kaninës, atëherë këta njerëz janë shpirti i saj. Ata kanë shkruar emrin e fshatit të tyre në historinë e Shqipërisë. Kultura popullore e Labërisë është një trashëgimi e rrallë, dhe në Kaninë ajo ruhet si gjë e shenjtë. E këtu, kënga, veshja, zakonet, dhe festa janë më shumë se traditë , janë identitet. Gratë e Kaninës dikur qepnin kostume të punuara me dorë, me ngjyra, shami, brez e xhubleta, që tregonin jo vetëm vendin e origjinës por edhe statusin shoqëror.Sot, pak familje i ruajnë ende, si relike të një epoke që po largohet, por që s’duhet harruar.Dasma labe është një ngjarje që bashkon fshatin. Një ceremoni që zgjat disa ditë, ku çdo akt, çdo këngë dhe çdo veshje ka kuptim dhe simbolikë.Ajo është një festë ku ruhet zakoni, por edhe një akt i përbashkët ruajtjeje të identitetit. Në Kaninë, Festa e Flamurit, Dita e Verës apo festimet e Pashkës dhe Bajramit, festa e ullirit, shndërrohen në festa popullore ku kthehen edhe emigrantët, ku njihet dhe ruhet e kaluara. Janë raste për të kujtuar, për të kënduar dhe për të treguar se Kanina nuk ka harruar kush është.
Ka një ditë në vit, kur koha ndalon.

Një ditë kur gurët e kalldrëmeve dëgjojnë përsëri zërat e të rinjve, e kështjella përshëndet bijtë që janë shpërndarë nëpër botë.Quhet “Takim Brezash” por në të vërtetë është më shumë se një festë, është një përqafim mes kujtesës dhe të ardhmes.

Në këtë ditë Kanina vesh petkun më të bukur të saj.Rrugicat mbushen me hapat e atyre që janë larguar, por kurrë nuk e kanë harruar. Në skenën e kakase se Kanines, ringjallet kultura jonë, isoja labe mbushet me zëra të vjetër e të rinj,vallja e grave rrotullohet rreth historisë, rapsodi flet për trimat, për nënat, për dheun.Kjo është Kanina që nuk i ndahet vetes. Një vend që i mbledh bijtë si në kohë feste, si në kohë lufte.Një tokë që nuk mban mëri për largimet, por hap krahët për rikthimet. Dhe çdo vit, në këtë takim brezash, ajo rikonfirmon një të vërtetë të thjeshtë:Tradita nuk vdes kur trashëgohet, kujtesa nuk plaket kur përçohet.

E një fshat, si Kanina, nuk shuhet, për sa kohë gjeneratat i takohen me këngë, me fjalë dhe me dashuri.”
Takimi i brezave nuk është vetëm një festë në kalendar.
Është një pasqyrë, ku çdo kaninjot shikon rrënjët, dhe çfarë mund të lulëzojë mbi to.

Kanina e djeshme, e sotme dhe ajo e së nesërmes.Tradita nuk është thjesht zakon,është lidhja që na mban të bashkuar me ata që nuk janë më dhe me ata që do të vijnë. E në Kaninë, ajo jeton përmes këngës, kujtimeve dhe krenarisë

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit