Me anije luftarake amerikane që transportojnë raketa lundrimi dhe mijëra marinsa të pozicionuar pranë ujërave territoriale të Venezuelës, tensionet mes Karakasit dhe Uashingtonit kanë arritur në një nga kulmet më të rrezikshme të dekadës së fundit.
Presidenti Nicolás Maduro, në një ton sfidues dhe me një retorikë të fortë patriotike, i bëri thirrje popullit të ngrihet dhe të bashkohet me milicitë bolivariane për të përballuar atë që ai e quan “komplot imperialist për një pushtim”.
Në anën tjetër të kufirit diplomatik, mbështetës të vijës së ashpër të Donald Trump në SHBA nuk e kanë fshehur aspak qëllimin për rrëzimin e Maduros. Postime provokuese, kërcënime të drejtpërdrejta dhe gëzim për praninë ushtarake në brigjet e Venezuelës, të gjitha këto formojnë një narrativë që ka ringjallur frikën për një ndërhyrje të stilit të Bagdadit, të ngjashme me pushtimin amerikan në Panama në vitin 1989.
Megjithatë, analistët mbeten skeptikë. Ekspertë të çështjeve latino-amerikane dhe diplomatë veteranë vlerësojnë se ky është më shumë një spektakël strategjik sesa një përgatitje reale për pushtim. Ata theksojnë se forca aktuale e vendosur nga SHBA, rreth 4,500 trupa, është numerikisht e pamjaftueshme për të përmbysur një regjim që kontrollon një territor kompleks, me male, xhungla dhe qytete të dendura.
Ish-diplomatë amerikanë sugjerojnë se ky demonstrim i fuqisë mund të ketë për qëllim nxitjen e frakturave të brendshme në rrethin e ngushtë të Maduros, ndoshta një dezertim masiv ushtarak, dhe jo një ofensivë të menjëhershme. Deri tani, nuk ka prova se SHBA po ndërmerr përgatitje të mjaftueshme për një operacion të madh tokësor. Sipas vlerësimeve, ndërhyrja e vetme e mundshme mund të ishte një sulm i saktë ndaj objektivave specifike, si baza ushtarake Fuerte Tiuna, ku dyshohet se strehohet vetë Maduro.
Por edhe kjo duket më shumë si një opsion teorik sesa real. Sipas Thomas Shannon, një nga diplomatët më me përvojë të SHBA-së për Amerikën Latine, retorika e ashpër ndaj Venezuelës vjen më shumë si rezultat i presionit të brendshëm politik mbi administratën Trump për të kënaqur bazën republikane sesa një plan konkret për ndërhyrje.
Pavarësisht kësaj, ekziston një direktivë sekrete e nënshkruar nga Trump që autorizon përdorimin e forcës kundër organizatave të shpallura si narko-terroriste, një kategori ku është përfshirë edhe Karteli i Diejve në Venezuelë, i cili sipas SHBA-së drejtohet nga vetë Maduro. SHBA ka vendosur një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për kapjen e tij, një shumë që i dyfishon shifrat e shpallura dikur për Osama bin Laden.
Ndërkohë, në rrugët e Karakasit, situata mbetet e tensionuar por e qetë në sipërfaqe. Popullsia, e lodhur nga një krizë ekonomike e thellë dhe pasiguri kronike, ndjek zhvillimet me kujdes, por edhe me mosbesim. Një pjesë e qytetarëve shpresojnë ende për një zgjidhje demokratike dhe për shmangien e një konflikti të armatosur që mund të çojë në kolaps total.
Përfundimisht, pavarësisht retorikës nga të dyja palët, duket se as SHBA dhe as vetë Trump nuk janë realisht të gatshëm të ndërmarrin një pushtim të plotë të Venezuelës. Rreziku ekziston – sidomos nëse ndodh një incident i papritur, por për momentin, gjithçka duket më shumë si një betejë nervash sesa një plan i drejtpërdrejtë për ndërhyrje. /Përshtatur nga “The Guardian”










