Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Jakup Nura, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për propozimin e Dimal Bashës si kandidat për kryetar të Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur këtë veprim një “befasi” dhe një “fyerje” për votuesit e të gjitha partive.
Në një prononcim për media, Nura ka bërë thirrje që Vetëvendosje të propozojë një emër kredibil dhe përfaqësues, në mënyrë që të zhbllokohet ngërçi institucional.
“Një njeri që besoj që edhe votat e VV-së me dëshirë s’do të shkonin për Dimal Bashën. Për ne ka qenë një befasi, edhe pse ne kërkuam një pauzë dhe të njoftohemi nëse është vërtetë qëllimi i tyre që Dimal Basha të jetë në krye të Kuvendit,” u shpreh Nura.
Duke komentuar më tej, ai përdori një krahasim nga terminologjia ushtarake:
“Ne në ushtri e kemi një term që thotë: ‘Më mirë është një luan t’u prijë 100 magarëve se një magarë t’u prijë 100 luanëve’, e tash Dimal Basha të jetë i pari i Kuvendit, është një fyerje për votuesit e Vetëvendosjes por dhe të gjithë votuesit e Kosovës.”
Nura shtoi se PDK është e hapur për të votuar një kandidat tjetër, por nuk beson se Vetëvendosje do ta rikandidojë sërish Bashën.
“Derisa ata po përpiqen që neve të na lënë në faj, mendoj që PDK do t’ia japë votën, edhe pse nuk e besoj që do ta qesin prapë në votim.”
Ai përfundoi duke i bërë thirrje VV-së që të mos befasojë as partinë e tij, e as vetë qytetarët:
“Ne presim çdonjëri të jetë pjesë e saj. U bëjë ftesë të mos na befasojë as ne, as ata, por të jetë një person që të na përfaqësojë të gjithë neve përballë Kuvendit.”
Sipas Nurës, mënyra si u zhvillua votimi ishte e papranueshme:
“Ata vjedhurazi ngritën dorën, dhe u votu si u votu. Më vjen keq që e them atë, por vërtetë Dimal Basha nuk meriton votat e deputetëve për ta zënë të parin e Kuvendit.”
“Sepse vazhdimisht ka qenë jopërbashkues, jokonstruktiv dhe vazhdimisht është mundu partitë tjera m’i shantazhu.”









