Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, ka munguar prej më shumë se një muaji në skenën publike të Washington-it, por është shfaqur papritur në një rol që askush nuk e priste: ndërmjetëse e heshtur mes burrit të saj, presidentit Donald Trump, dhe liderit rus Vladimir Putin.
Pak ditë para samitit të tensionuar në Alaskë, ku Trump u takua me Putinin për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë, Melania i ka dërguar një letër personale presidentit rus. Në të, ajo i bënte apel “të rikthente të qeshurat e fëmijëve”, të prekur nga lufta, duke folur për “ëndrrat e njëjta të çdo fëmije, qoftë në qytet apo fshat”.
Melania nuk shfaqet shpesh. Këtë mandat ka pasur vetëm 19 dalje publike, gjysma e atyre të katër viteve të para. Por pavarësisht mungesës, ajo komunikon vazhdimisht me bashkëshortin përmes mesazheve e telefonatave. Shpesh, sipas vetë presidentit, ajo e “sjell në tokë” kur ai përshkruan bisedat me Putinin.
Një shembull tipik: Trump tregoi se i kishte thënë bashkëshortes për një “bisedë të shkëlqyer” me Putinin, por Melania iu përgjigj ftohtë: “Po, ndërkohë një tjetër qytet u bombardua”.
Në Ukrainë, letra e saj është pritur me ironi, duke gjeneruar meme me titullin “Agjentja Melania Trumpenko”, ndërkohë që presidenti Zelensky, si kundërpeshë diplomatike, i dorëzoi Trump-it një letër personale nga bashkëshortja e tij për Zonjën e Parë të Amerikës.
Në Moskë, ndërhyrja e Melanias është pritur me acarim nga mediat shtetërore, të cilat e kanë kritikuar si ndërhyrje emocionale, jo politike.
Ndryshe nga paraardhëset e saj, Jill Biden, Michelle Obama apo Laura Bush, Melania ka zgjedhur një rol të kufizuar dhe selektiv. Ajo ka vetëm 5 punonjës në staf, kundrejt mbi 20 që ka pasur Jill Biden. Nuk ka vizita të pavarura, nuk ka udhëtime jashtë vendit, as fushatë të re politike.
Pjesën më të madhe të kohës e kalon në New York ose Palm Beach, larg protokollit të Washington-it, dhe shfaqet vetëm kur bëhet fjalë për kauza që lidhen me fëmijët, nga lufta në Ukrainë e Gaza, te përmbytjet katastrofike në Teksas.
Melania Trump, e lindur në ish-Jugosllavinë komuniste, shihet nga analistët si më e besueshme kur flet për pasojat e agresionit rus, për shkak të rrënjëve të saj në një vend që ka kaluar nën ndikimin sovjetik.
“Zonjat e Para kanë një autoritet moral unik”, thotë Anita McBride, ish-shefja e stafit të Laura Bush. “Në momente kritike, fjala e tyre bën jehonë”.
Melania nuk ka thënë publikisht asnjë fjalë për Ukrainën apo Gazën, por mesazhet që i përcjell burrit të saj tregojnë qartë një bosht të vetëm: fëmijët dhe të ardhmja e tyre.










