Një ekskursion shkollor në plazhin Abu Talat në Aleksandri, Egjipt, ka përfunduar tragjikisht, pasi gjashtë nxënës humbën jetën dhe 24 të tjerë u lënduan për shkak të dallgëve të fuqishme.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Egjiptit, ekipet e emergjencës ndërhynë me 16 autoambulanca, duke arritur të shpëtojnë shumë nxënës, por gjashtë prej tyre nuk mbijetuan.
Tre të plagosur u trajtuan në vend, ndërsa 21 u dërguan në spital. Plazhi është mbyllur përkohësisht dhe janë vendosur flamuj të kuq paralajmërues për rrezikun në det.
Ministri i Shëndetësisë, Khaled Abdel Ghaffa, tha se po ofrohet trajtim urgjent për të lënduarit dhe bëri thirrje për respektim të masave të sigurisë në plazhe. Autoritetet kanë nisur hetime për të verifikuar nëse ishin zbatuar protokollet e sigurisë.
Ngjarja ndodhi vetëm pak ditë pas mbytjes së një nëndetëseje turistike në Hurghada, ku humbën jetën 6 persona dhe 39 të tjerë u shpëtuan.











