Në Shkup u mbajt koncerti madhështor i artistit të njohur Yll Limani, i cili mblodhi mijëra fansa nga e gjithë Maqedonia e Veriut, Kosova dhe rajoni. Mbrëmja u shënua nga një atmosferë elektrizuese, këngë të njohura dhe emocione të forta.
Një nga momentet më të ndjera të koncertit ishte kur Ylli ndaloi performancën për të falënderuar publikisht një familje nga Gostivari, e cila e kishte strehuar gjatë kohës së luftës.
“Në kohët më të vështira, ju na dhatë strehë, bukë e dashuri. Këto nuk harrohen kurrë. Sot jam këtu, para jush, edhe falë asaj mikpritjeje që na e keni dhënë kur ishim fëmijë,” tha këngëtari me emocione.
Në një letër të ndarë me publikun, ai shtoi: “Na dhatë dashni kur bota na dukej pa zemër, ato net të errëta na i kthyet në dritë, sepse ishim bashkë.”
Koncerti i Yll Limanit në Shkup konfirmoi edhe një herë ndikimin e tij të madh në muzikën moderne shqiptare, duke e kthyer mbrëmjen në një festë të paharrueshme për fansat.









