Eksperti për politikë të jashtme dhe siguri që vepron në Uashington, Adrian Shtuni, ka folur mbi situatën e krijuar në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit, ku edhe gjashtë muaj më vonë vendi vazhdon të mbetet pa institucione të reja.
Ai ka theksuar se moskonstituimi i Kuvendit nuk është problemi kryesor, por një pasojë e krizës më të thellë politike që lidhet me mungesën e vizionit dhe lidershipit.
“Shpresoj se do të ketë kthjellim sa më shpejt por nuk jam shumë optimist pasi kjo situatë nuk është as e papritur as aksidentale. Në vetvete moskonstituuimi i Kuvendit nuk është problemi, por simptomë e një krizë themelore vizioni dhe lidershipi në politikën aktuale të Kosovës. Pyetja është kujt i shërben kjo situatë dhe kush mban përgjegjësi që vendi ka mbetur në baltë, pa kuvend e pa qeveri dhe i paralizuar si në politikë të brendshme e të jashtme ashtu edhe në ekonomi e mirëqenie?”, tha ai.
“Të kuptohemi, nuk po flas metaforikisht. Nga tre pushtetet që përbëjnë sistemin e qeverisjes në Kosovë, legjislativi dhe ekzekutivi janë paralizuar dhe i vetmi pushtet funksional, gjyqësori, po sulmohet e anatemohet nga politika. Kjo është situate absurde ku shteti po saboton e sulmon vetveten. Prapë pyes: kush fiton nga kjo e kush mban përgjegjësi?”, shtoi tutje ai.
Shtuni thekson se barra e gjetjes së zgjidhjes bie mbi klasën politike të Kosovës dhe veçanërisht mbi partinë fituese të zgjedhjeve.
“Sido që të jetë, obligimi për gjetjen e zgjidhjes është i klasës politike të Kosovës, dhe para se gjithash i partisë që ka fituar shumicën e votave. Kjo përgjegjësi nuk mund të delegohet tek politikanët apo diplomatët e vendeve perëndimore. Deputetët janë zgjedhur dhe paguhen për të gjetur zgjidhje e jo për të zhagitur problemet. Gjykata Kushtetuese përmes aktgjykimit të shpallur në datë 8 gusht ka folur mjaft qartë duke sqaruar procedurat dhe urdhëruar deputetët e zgjedhur nga vota e popullit që brenda afatit 30 ditor të zgjedhin udhëheqësit e Kuvendit. Zbatimi i këtij urdhri është përgjegjësi ligjore. Megjithatë ne e dimë se vetëm zgjedhja e udhëheqësve të Kuvendit nuk e zgjidh krizën që ka ngërthyer vendin. Duhet të gjendet një kompromis me i thellë politik, ndoshta edhe me ndihmën e ndërmjetësve. Por një gjë është e qartë, kjo krizë e vetëshkaktuar nuk guxon të vazhdojë me gjatë pasi rrezikohet që pasojat për vendin të jenë të rënda dhe ato nuk do të mund t’i faturohen askujt tjetër.”. tha ai.









