Ka nisur në Shtëpinë e Bardhë Samiti për Ukrainën, ku Presidenti Donald Trump dhe homologu ukrainas, Volodymyr Zelensky, kanë folur për fundin e luftës, ndërsa një takim trepalësh, bashkë me Vladimir Putin, duket se është në horizont.
Zelensky tha se është gati për këtë takim, ndërsa Trump foli për garancitë që do i afrohen Ukrainës nga SHBA, nëse pranohet dhënia fund e luftës.
Tema e cila nuk u prek në konferencën për mediat ishte shkëmbimi i territoreve mes Ukirainës dhe Rusisë.
Gjithsesi mbrëmja e sotme është konsideruar historike për përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të Bashkimit Evropian, që i janë bashkuar bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë.
Giorgia Meloni, kryeministrja e Italisë, tha se nuk ka zgjidhje të lehta. “Mendoj se duhet t’i shqyrtojmë të gjitha për të garantuar paqen dhe sigurinë për kombet tona. Puna që do të bëjmë sot është e rëndësishme”, tha Meloni, ndërsa Kryeministri britanik, Keir Starmer, theksoi se nuk ka nevojë për armëpushim, për të arritur në fundin e luftës.
Presidenti amerikan pohoi se mënjëherë pasi të përfundojë bisedimet me Zelenskyn dhe liderët europianë do të komunikojë me Putin në telefon. Një gjë të ngjashme, Trump e bëri me Zelenskyn dhe liderët europianë, pasi përfundoi takimin me Putin në Alaskë.
Po ku mund të mbahet takimi trepalësh, nëse Samiti i sotëm ecën sipas planeve të Trump?
Këtu janë tre propozime. Meloni ka shprehur gadishmërinë për të organizuar takimin në Romë, ide që e hodhi edhe më herët, kur diskutohej mbi samitin Trump-Putin.
Propozimi tjetër ka ardhur nga Presidenti francez, Emmanuel Macron, sipas të cilit ky takim mund të mbahet në Gjenevë.
Por Zelensky dhe Trump po anojnë nga mbajtja e takimit në Vatikan.
Ndërkohë, Trump ka një ftesë nga Putin që takimin e ardhshëm me Presidentin rus, ta zhvillojnë në Moskë, teksa ky liderët botërorë thyen akujt në takimin e Alaskës.










