Në Shtëpinë e Bardhë ka nisur takimi mes Presidentëve Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky, ndërsa kreu i Shtëpisë së Bardhë, shprehu besimin se do të ndalojë luftën, pa i hyrë detajeve lidhur me idenë e shkëmbimit të territoreve.
Volodymyr Zelenskyy falenderoi Donald Trump për samitin e sotëm në Uashington dhe gjithashtu falënderoi bashkëshorten e tij Melania. Zonja e parë i shkroi një letër Vladimir Putinit, e cila iu dorëzua të premten.
I ulur në Zyrën Ovale, Zelensky tha: “ Faleminderit shumë, z. President. Para së gjithash, dua t’ju falënderoj për ftesën tuaj.
Faleminderit shumë për përpjekjet tuaja dhe përpjekjet tuaja personale për të ndaluar vrasjet dhe për t’i dhënë fund kësaj lufte.
Faleminderit bashkëshortes suaj, zonjës së parë të Shteteve të Bashkuara.
Ajo nënshkroi një letër drejtuar Putinit në lidhje me fëmijët tanë të rrëmbyer”, tha Zelensky, teksa i dorëzoi Presidentit të SHBA një letër për bashkëshorten e tij.
Trump: Presim diçka pozitive, kemi bërë përparim të konsiderueshëm
Donald Trump theksoi gjithashtu se “kemi pasur diskutime të rëndësishme dhe kemi bërë përparim të konsiderueshëm . Besoj se ekziston mundësia që diçka pozitive të dalë nga takimi ynë i sotëm, i cili është vendimtar. Faleminderit për praninë tuaj.”
Donald Trump tha se do të ketë një lloj garancie sigurie për Ukrainën. Udhëheqësi amerikan, duke folur në Shtëpinë e Bardhë pak minuta më parë, tha: “Do të ketë ndihmë të madhe, të madhe në aspektin e sigurisë. Do të ketë ndihmë të madhe. Do të jetë e mirë.”
“Ata janë vija e parë e mbrojtjes sepse janë atje, por edhe ne do t’i ndihmojmë. Do të përfshihemi.”
Më herët, Trump tha se SHBA i do ukrainasit.










