Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi Aktgjykimin ku një sqarim i rëndësishëm lidhet po ashtu me numrin e herëve që një kandidat për Kryetar të Kuvendit mund të propozohet.
Gjykata përfundoi se një kandidat mund të paraqitet vetëm deri në tre herë, duke u mbështetur në logjikën e dispozitave kushtetuese analoge.
Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi: “Votimi i hapur për Kryetarin e Kuvendit mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”.
Ky interpretim bazohet në parimin e funksionalitetit institucional. Gjykata përdori analogji me nenin 86 të Kushtetutës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, i cili lejon vetëm tre raunde votimi para se të shpallen zgjedhje të reja, dhe me ligjin që rregullon Avokatin e Popullit, i cili gjithashtu kufizon ripropozimet.
Aktgjykimi thekson: “Kufizimi i numrit të propozimeve është thelbësor për të shmangur bllokimin e institucioneve dhe për të garantuar konkurrencë të drejtë”.
Mesazhi që doli:
Kuvendi duhet të respektojë rendin kushtetues, deputetët duhet të kryejnë detyrat e tyre me transparencë përmes votimit të hapur, ndërsa forcat politike duhet të gjejnë konsensus brenda kufijve të Kushtetutës dhe jo përmes obstruksionit proceduror.
Siç thekson vetë Gjykata: “Deputetët e zgjedhur të Kuvendit… janë të obliguar të përfundojnë seancën konstituive duke zgjedhur Kryetarin dhe Nënkryetarët e tij brenda 30 ditëve”.









