Situata në Serbi vazhdon të jetë e tensionuar. Gjatë natës së pestë me radhë të protestave antiqeveritare, janë djegur zyrat e Partisë Progresive Serbe (SNS) në qytetin Valjevo, ndërsa në Beograd dhe Novi Sad u raportua për përleshje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë.
Sipas BBC, policia përdori gaz lotsjellës dhe granata me tym, pasi një grup personash të maskuar sulmuan zyrat e zbrazëta të SNS-së. Ministria e Brendshme e Serbisë ka mohuar akuzat për brutalitet policor, ndonëse protestuesit flasin për dhunë sistematike.
Kjo valë protestash nisi pas një tragjedie hekurudhore në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona. Që atëherë, mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë duke kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe fundin e korrupsionit.
Ndërkohë, Rusia ka shprehur mbështetje për presidentin Aleksandar Vuçiq, duke deklaruar se nuk do të “mbetet pa reagim” ndaj situatës.












