Mefail Shkodra dhe djali i tij E.Sh. ishin denoncuar në Policinë e Kosovës për kërcënim nga një person me inicialet B.H. në prill të këtij viti.
Por, Prokuroria Speciale tha se për këtë rast nuk paraqiti kërkesë për paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e tre personave në Gjilan të dielën, me arsyetimin se nuk ekzistonin prova të maftueshme për propozimin e kësaj mase.
Denoncuesi me inicialet B.H. nuk dihet nëse i përket familjes së viktimave të së dielës, dy prej të cilëve i përkasin familjes Hasani në Gjilan, ndërsa një tjetër familjes Hoxha.
Rasti për kanosje ndaj Mefail Shkodrës, sipas Prokurorisë, është lajmëruar më 25 prill, rreth tre muaj para ngjarjes tragjike të së dielës.
“Me datë 25 prill 2025, PSRK është njoftuar nga Policia e Kosovës për paraqitjen e një kallëximi penal nga ana e B.H. ndaj të dyshuarit M.Sh. Menjëherë pas pranimit të informatave, në po të njëjtën ditë Prokuroria ka filluar të ndërmarrë veprimet hetimore dhe ka autorizuar hetuesit policorë për ndërmarrjen e masave dhe veprimeve të nevojshme ligjore”, tha Prokuroria Speciale në një deklaratë të hënën.
“Në këtë rast, Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, pasi në fazën fillestare të procedurës kanë qenë të nevojshme ndërmarrja e veprime të tjera hetimore me qëllim verifikimin e pretendimeve dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, tha Prokuroria.
Prokuroria tha se sipas ligjit, paraburgimi mund të kërkohet dhe të caktohet vetëm kur ekzistojnë prova të mjaftueshme dhe plotësohen kushtet ligjore të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.
“Për më tepër, bazuar në raportet e Policisë, pas përfundimit të planit operativ, kontrollit të pronave të dyshuar, si dhe pas intervistës se të dyshuarve dhe ankuesit, nuk është pranuar asnjë informacion apo dëshmi që do të tregonte se ankuesi apo ndonjë anëtar i familjes së tij kanë qenë të kërcënuar nga ana e të dyshuarve”, sipas njoftimit të Prokurorisë.
Hetimet fillestare tregojnë se i dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan të dielën është Mefail Shkodra, një burrë 53-vjeçar nga Gjilani, i njohur për organet e drejtësisë për përfshirje në vepra penale.
Një person i dyshuar për këtë rast u kap në vendin e ngjarjes të dielën, tha policia.
Por, i dyshuari kryesor, Mefail Shkodra, arriti të largohej me shpejtësi nga vendi i krimit, tregojnë pamjet e publikuara në media të dielën.
Shkodra, bashkë me dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodrën, u shpallën në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Kosovës.









