Një protestë e fuqishme është duke u mbajtur sot në Prishtinë, ku mijëra qytetarë janë mbledhur për të shprehur pakënaqësinë dhe zemërimin e tyre ndaj asaj që e quajnë padrejtësi të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tubimi nisi në orën 17:00 dhe shpejt e mbushi sheshin me brohoritje, flamuj kombëtarë dhe pankarta përkrahëse për figurat e ish-UÇK-së që po përballen me akuza në Hagë. Protestuesit me zë të lartë thërrisnin “UÇK-UÇK”, duke krijuar një atmosferë të fuqishme solidariteti dhe krenarie kombëtare.
Pjesëmarrës nga e gjithë Kosova kanë ardhur në kryeqytet për të marrë pjesë në këtë manifestim qytetar, duke theksuar përmes pankartave dhe sloganeve se UÇK-ja është pjesë e pandashme e historisë dhe lirisë së Kosovës.
Përveç thirrjeve për drejtësi, në protestë nuk munguan as emocionet – shumë prej pjesëmarrësve mbanin në duar fotografi të ish-komandantëve dhe të rënëve gjatë luftës.










