Frizieri i njohur, Armend Gashi, ka reaguar lidhur me raportimet se bashkëshortja e tij, Brikena Kelmendi–Gashi, ka përfituar 10,000 euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të thirrjes për projekte kulturore për këtë vit.
Ai i ka mohuar krejtësisht këto raportime, duke thënë se nuk bëhet fjalë për bashkëshorten e tij.
“Lajmi që është publikuar sot në Gazeta Express, dhe që pastaj ka filluar të shpërndahet me shpejtësi edhe në media tjera, është krejtësisht i PAVËRTETË. Gruaja ime, Brikena Kelmendi Gashi, asnjëherë nuk ka përfituar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Brikena Gashi për të cilën po flitet në këtë lajm është ndonjë grua tjetër që ka emrin e njëjtë si bashkëshortja ime”, tha ai.
I njëjti gjithashtu në këtë reagim kërkoi nga mediat heqjen e lajmit dhe kërkim-falje për shpifje, teksa paralajmëroi ndjekjen ligjore si ndëshkim.
“Kërkoj nga këto media që menjëherë ta tërheqin këtë lajm dhe të kërkojnë falje për shpifje dhe dëmtim të reputacionit të Brikenës dhe timin. Përndryshe, do t’i ndjekim rrugët e tjera ligjore”, ka shkruar ai.








