Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën në Liqenin e Ujmanit.
33-vjeçari Rrahim Latifi, dyshohet se është hedhur nga një lartësi prej 20 metrash.
Operacioni i kërkimit për trupin e mërgimtarit po vazhdon, derisa nuk ka as edhe një gjurmë nga ai, tashmë kur kanë kaluar 24 orë prej raportimit të rastit.
Lidhur me rastin ka folur zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Elshani para mediave iu bëri apel qytetarëve që të mos kërcejnë nga ura.
“Qytetarët dhe mërgimtarët të cilët vijnë këtu mos ta shohin këtë urë si distancë të vogël, lartësi të vogël që mos me u hedh nga ky vend. Nga ky vend janë hedhur profesionistët e ata i kanë parë në televizion, e për këtë arsye e marrin guximin mos u hedh. Duhet me pasë kujdes sepse tash na ka mbetur të shpresojmë me e gjet vetëm trupin. Jemi afër familjes, po mundohemi të mos spekulojmë shumë, po mundohemi të mos flasim shumë për arsye se dhimbja është e madhe për familjarët. Shpresojmë që kanë me pasë sukses institucionet që janë këtu”, deklaroi Elshani para mediave.
Ai foli edhe për mungesën e sinjalistikës në atë zonë.
“Do të bisedojmë me Ibër Lepencit, për të parë nëse është kompetencë e tyre apo e Komunës vendosja e sinjalistikës. Besoj se Ibër Lepenci do ta kryejë këtë punë. Sinjalistika mund të jetë aty, por nëse qytetarët vendosen të hidhen aty, ata do të hidhen. Pra, duhet të ekzistojë një vetëdijesim”, shtoi ai para mediave.






