Pas ndërprerjes së seancës së 51-të për konstituimin e Kuvendit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka mohuar mundësinë që Fatmir Limaj të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit.
Ai theksoi se, sipas tij, një propozim i tillë nuk do të vijë asnjëherë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Sa i përket Fatmir Limajt, a e keni parë diku që është kandidat? E para, unë nuk besoj kurrë se do të jetë kandidat. Ia kam thënë edhe atij personalisht. Nuk e propozon Albin Kurti asnjëherë. Për këtë temë nuk besoj se do të kemi arsye për të diskutuar. Një deputet i PDK-së ka thënë se mendon që do të ishte mirë për të votuar, por PDK nuk voton në mënyrë të shthurur, por sipas vendimeve partiake. Këto janë tendenca dashakëqija. Në PDK, 24 votat janë unike”, tha Krasniqi.
Lideri i PDK-së foli edhe për ankesat që PDK dhe LDK i kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen e komisionit për votim të fshehtë.
“Lëndët që i kemi dërguar ne si PDK në Kushtetuese, por edhe LDK, kemi pritur shumë që të marrim përgjigje para datës 26, kemi edhe tri ditë. Ndoshta do ta qartësonte së paku çështjen e votimit të fshehtë, i cili, në leximin e të gjithë ekspertëve, përpos atyre ekonomistëve të Vetëvendosjes që janë bërë ekspertë ligjorë, e dimë se rendi i ditës nuk bën të ndryshohet”, deklaroi ai.








