Polici u varros me simbol fetar – Kryeimami i Deçanit: Nuk është flamur arab, nuk cenon identitetin kombëtar

Kreu i Bashkësisë Islame për Deçan, Naim Tolaj, ka reaguar pas debatit të krijuar rreth ceremonisë së varrimit të policit të Kosovës, Shaban Hajdari, duke shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit dhe duke kritikuar, siç i ka quajtur ai, “disa intelektualë dhe mbrojtës të kombit” për nxitje të polemikave fetare e ideologjike.

Në reagimin e tij, hoxha ka thënë se familjes së policit i kërkon falje për debatin e krijuar dhe ka theksuar se këto momente nuk duhet të përdoren për përçarje.

“Është e dhimbshme dhe shqetësuese të shohësh se si edhe vdekja e një njeriu shfrytëzohet për të nxitur polemika ideologjike e fetare”, ka shkruar ai.

Ai ka kundërshtuar pretendimet se simbolet fetare islame cenojnë identitetin kombëtar, duke theksuar se të qenit mysliman dhe shqiptar nuk janë identitete që përjashtojnë njëri-tjetrin.

Duke iu referuar debatit për mbulesën mortore (halinë), hoxha ka sqaruar se ajo, sipas tij, nuk është obligim fetar, por një traditë e përdorur nga myslimanët në shumë vende dhe nuk ka lidhje me flamujt e shteteve arabe.

“Prandaj, kjo mbulesë nuk është flamur arab dhe nuk ka lidhje me simbolet shtetërore të vendeve arabe. Ajo është një simbol fetar që shpreh përkatësinë islame të të ndjerit dhe nuk e mohon në asnjë mënyrë identitetin e tij kombëtar”, ka deklaruar ai.

Hoxha ka thënë gjithashtu se vendimi për mënyrën e organizimit të ceremonisë mortore i takon familjes së të ndjerit.

“Familja është ajo që gëzon të drejtën morale dhe ligjore të vendosë mbi ceremoninë mortore, ndërsa të gjithë të tjerët duhet ta respektojnë këtë vendim”, ka shkruar ai.

Në reagim, ai ka përmendur edhe rolin historik të klerikëve myslimanë në çështjen kombëtare shqiptare, duke thënë se pretendimet se Islami cenon identitetin kombëtar nuk qëndrojnë historikisht.

Në fund, hoxha ka bërë thirrje për ruajtjen e harmonisë ndërfetare dhe ka kërkuar që debatet të zhvillohen mbi bazën e dijes dhe respektit.

“Allahu e mëshiroftë policin Shaban Hajdari, e faltë dhe e bëftë prej banorëve të Xhenetit”, ka përfunduar reagimin e tij.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit