Ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lulzim Halili, është arrestuar dje nga shërbimi informativ serb (BIA) në qytetin e Svilanacit, në territorin e Serbisë.
Mediat serbe raportojnë se autoritetet serbe po e akuzojnë Halilin për krime lufte ndaj popullatës serbe gjatë luftës në Kosovë, megjithëse detajet konkrete mbi aktakuzën eventuale nuk janë bërë ende publike nga ana zyrtare.
Opinionisti Gani Mehmeti ka reaguar ashpër pas arrestimit të Lulzim Halilit në Serbi, duke e quajtur një akt hakmarrjeje të drejtpërdrejtë pas arrestimit të Igor Popoviqit, zyrtarit serb për Kosovë.
Mehmeti ka kritikuar ashpër çdo pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që guxon të udhëtojë nëpër Serbi, veprim që sipas tij është i barasvlershëm me “shkuarjen e cjapit te kasapi”.
“Asnjëherë nuk i besohet Serbisë. Andaj, si është e mundur dhe me sa palë mend një pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hyn në Serbi, e, aq më pak, në ditët pas arrestimit të zëvendësit të së ahtuquajtur drejtori për Kosovë nga Beogradi, Igor Popoviqit.
Hyrja në Serbi i një pjesëtari të UÇK është e barabartë me shkuarjen e cjapit te kasapi, siç thuhet në popull. Kjo është sikur ti qëllimisht po i bie në dorë armikut, aq më shumë kur, po nga ai Popoviqi dhe nga Beogradi, UÇK quhet organizatë kriminale, sikur ka bërë krime mbi serbët gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Arrestimi i Lulzim Hallit sonte nga BIA serbe vjen si hakmarrje e arrestimit të Igor Popoviqit”, ka thënë Mehmeti për “Bota sot”.
Sipas tij, Serbia ka demonstruar se nuk ndikohet as nga organizatat ndërkombëtare dhe as nga sanksionet, dhe mbrohet nga aleatë të fuqishëm si Rusia dhe Kina.
Kjo, sipas Mehmetit, e bën edhe më të rrezikshme për çdo shqiptar që të kalojë përmes territorit serb, e sidomos për ish-ushtarët e UÇK-së.
“Në Serbi nuk kanë ndikim as ndërkombëtarët kur arrestohet ndonjëri nga pjesëtarët e UÇK. Serbia nuk është në duart e asnjë organizate ndërkombëtare edhe pse është në të gjitha organizatat. Ajo u bë e padëgjueshme edhe ndaj sanksioneve ndaj Rusisë, u bë e padëgjueshme ndaj zbatimit të marrëveshjeve me Kosovën, dhe sërish nuk ka asnjë masë të ndërmarrë ndaj saj. Ajo ka sfiduar të gjitha, sepse ka krahun nga BE e nga tjerët, nuk guxojnë të ndërmarrin asnjë hap kundër saj, pse e ka Rusinë e Kinën me vete si dhe shtete tjera jodemokratike. Prandaj, të gjithë shqiptarët, sidomos pjesëtarë të UÇK, nuk duhet të hyjnë fare në Serbi. Serbia është aq e zhvilluar diplomatikisht sa, edhe pa qenë fare pjesëtar i UÇK, ajo ia mvesh vetëm për ta dënuar pse është shqiptar. Qëllimet armiqësore të Serbisë ndaj shqiptarëve janë të vjetra e të vazhdueshme, sa asnjëherë nuk duhet t’i besohet.
Në Serbi, patën maltretime edhe shqiptarët, udhëtarë, nga Shqipëria duke i lënë në autobusë me dyer e dritare të mbyllura për t’i ngulfatur si dhe pa ujë e pa ushqime tjera në vapën më të madhe vetëm pse ishin shqiptarë. Nga kjo del se ndaj ne shqiptarëve të Kosovës, urrejtja është aq e madhe sa nuk do duhej asnjëri prej nesh të udhëtojmë nëpër Serbi. Më mirë nga 6 e 7 orë zgjatje e udhëtimit nëpër Shqipëri, Mal të Zi, Kroaci sesa të dënohesh me muaj a vite në serbi. Po, do të mjaftonte edhe vetëm një muaj të kalosh në burgjet e Serbisë.”, është shprehur ai.
Lidhur me këtë, ishte edhe thirrja nga Ministria e Jashtme dhe e Diaspores që t’i iket udhëtimit përmes Serbisë.
“Ne duhet të jemi më të dëgjueshëm, në veçanti ata pjesëtarë të UÇK”, ka përfunduar Mehmeti.






