spot_img
Friday, December 5, 2025
spot_img

Dikush e ka ngrënë përsëri bananen 6 milionë dollarëshe të artistit italian

Vepra e artistit italian Maurizio Cattelan, që përbëhet nga një banane e ngjitur në mur me ngjitës, është ngrënë nga një vizitor në një muze në Francë.

Vepra, e titulluar “Komediani” u konsumua më 12 korrik nga një vizitor në galerinë Centre-Pompidou Metz, në lindje të Francës, sipas një deklarate të publikuar nga vetë muzeu, shkruan CNN.

“Ekipi i sigurisë veproi shpejt dhe me qetësi, sipas procedurave të brendshme”, tha galeria në deklaratë këtë të hënë.

“Vepra u rikthye në vend vetëm disa minuta më vonë,”, ndërsa sqarohet dhe se banania është “vetëm një element i prishshëm” që zëvendësohet rregullisht sipas udhëzimeve të artistit.

Në njoftimin e Galerisë Centre-Pompidou Metz shkruhet se artisti ishte i zhgënjyer që vizitori e konsideroi vetëm frutin si veprën e artit, në vend që të hante edhe lëvoren, edhe ngjitësin që e mbante në vend. Galeria nuk ka paraqitur kallëzim penal.

Sipas muzeut, “Komediani” synon të tregojë “absurditetin e spekulimeve financiare dhe brishtësinë e sistemeve të dijes që mbështesin tregun e artit”.

Nuk është hera e parë që kjo vepër arti është ngrënë nga një vizitor.

Në vitin 2019, kur fillimisht Cattelan-i e prezantoi në panairin Art Basel Miami në Florida, amerikani David Datuna e shkuli bananen nga muri, e qëroi dhe e hëngri përpara qindra vizitorëve të habitur.

Ky moment u bë viral në botën e artit, dhe vepra u shit me një banane zëvendësuese, për 120 mijë dollarë në atë panair.

Më vonë, në vitin 2023, një student arti e mori bananen nga muri në Leeum Museum of Art në Seul të Koresë së Jugut, dhe e hëngri.

Në nëntor të vitit 2024, Justin Sun, një koleksionist kinez dhe themelues i një platforme kriptomonedhash, e bleu “Komediani”-n në ankand për 6.24 milionë dollar, përpara se ta hante vetë bananen.

“Sot për sot, ndoshta kjo është vepra e artit më e ngrënë e 30 viteve të fundit”, thuhet në deklaratën e Galerisë Centre-Pompidou Metz.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit