Shkruan: Ismet Haziri
Në këtë moment të ndjeshëm të aktualitetit politik, bëhet gjithnjë e më e qartë se vendi ka nevojë për një qasje më të pjekur, më të matur dhe mbi të gjitha, më bashkuese. Çdo qëndrim nga e djathta që bie në kundërshtim me një përbashkim të sinqertë, me qëllimin e vetëm për rikthimin e normalitetit institucional dhe politik, vështirë se mund të justifikohet si në harmoni me interesin e përgjithshëm të Kosovës.
Ky nuk është momenti për përçarje, as për gjuhë të ulët ndaj kundërshtarëve politikë. Përkundrazi, është koha për reflektim, për tejkalim të dallimeve dhe për ndërtim të një fryme bashkëpunimi që e vendos shtetin mbi interesat personale apo partiake. Mospajtimet janë pjesë e natyrshme e demokracisë, por ato nuk duhet të kthehen në pengesë për stabilitetin dhe funksionimin normal të institucioneve.
Një përbashkim i tillë duhet të jetë gjithëpërfshirës, duke rikthyer dhe afruar të gjithë ata që në një moment të caktuar nuk janë pajtuar me lidershipin aktual brenda spektrit të djathtë. Vetëm përmes një hapjeje të tillë mund të ndërtohet një alternativë e besueshme dhe funksionale.
Në këtë kontekst, është e rëndësishme që në qendër të këtij bashkimi të gjendet një figurë që gëzon besim të brendshëm dhe respekt ndërkombëtar. Vjosa Osmani përfaqëson një profil të tillë: e formuar në diplomacinë ndërkombëtare, e dëshmuar në institucione dhe e pranuar gjerësisht nga partnerët ndërkombëtarë. Ajo mund të shërbejë si një pikë referimi dhe si një shpresë reale për një lidership të djathtë të bashkuar, modern dhe të orientuar drejt interesit shtetëror.
Prandaj, kushdo që ka rezerva të motivuara nga interesa personale, inate apo ambicie të ngushta, duhet ta lehtësojë këtë proces. E ardhmja e vendit kërkon pjekuri politike, kompromis dhe vendosmëri për të vënë interesin e Kosovës mbi çdo gjë tjetër.









