Policia ka reaguar lidhur me ngjarjen e djeshme, ku një zjarr ra në tregun ambulant në Durrës.
Dyshohet se zjarri ka rënë për shkaqe aksidentale, pasi një shkëndijë elektrike mbi çatinë e një prej dyqaneve është përhapur duke shkaktuar dëme materiale në të paktën 35 stenda apo tezga të vendosura aty.
Sipas policisë, flakët u përhapën me shpejtësi, pasi u favorizuan nga era.
“Pasditen e djeshme është njoftuar Policia e Durrësit, se në tregun sezonal, në lagjen nr. 13, ka rënë zjarr. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse, të cilat kanë mundësuar shuarjen e zjarrit. Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në çatinë e njërit prej dyqaneve dhe është përhapur si pasojë e erës”, njoftoi policia.
Grupi hetimor mbetet në pritje të ekspertimit piroteknik që do përcaktojë përfundimisht shkakun e këtij zjarri. Paralelisht po hetohet edhe për përgjegjësitë e rastit nëse do të gjenden shkelje proceduriale apo të kushteve të sigurisë.
Do jenë institucionet vendore që do përcaktojnë dhe vendosin për rihapjen e tij. Një pjesë e mirë e tregtarëve arritën ta shpëtojnë malli në kohë pas zjarrit, teksa 35 stenda janë dëmtuar rëndë nga flakët.
Si pasojë e flakëve pati vetëm dëme materiale, ndërsa ndërhyrja e shpejtë bëri edhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve. Tregtarët do presin vendimin e institucioneve për të rinisur aktivitetin aty apo në një zonë tjetër të përshtatshme.









