Edon Zhegrova ka folur hapur për vendimin e tij për të qëndruar te Juventusi, pavarësisht zërave të shumtë gjatë verës për një largim të mundshëm nga Torino.
Futbollisti i Kosovës ka bërë të qartë se dëshira e tij ishte të vazhdonte aventurën me fanellën bardhezi dhe të linte gjurmë te një prej klubeve më të mëdha në Itali.
“Qëndrova sepse e dua këtë klub dhe dua të arrij diçka të madhe”, ka deklaruar Zhegrova.
Ai ka shtuar se transferimi te Juventusi kishte qenë një moment i rëndësishëm në karrierën e tij dhe se nuk dëshironte të largohej pa treguar plotësisht vlerat e tij.
“Është privilegj për mua të jem pjesë e kësaj skuadre. Jam shumë i lumtur me shokët, trajnerin, stafin dhe gjithë klubin. Do të jap më të mirën sa herë që të më jepet mundësia të luaj”, ka thënë reprezentuesi kosovar.
Respekton vendimin e trajnerit
Zhegrova është pyetur edhe për vendimin e trajnerit Luciano Spalletti për ta lënë jashtë listës së Juventusit për Europa League.
Kosovari nuk ka dashur të krijojë polemika dhe ka theksuar se respekton zgjedhjet e trajnerit.
“Është zgjedhje e trajnerit. Çfarëdo vendimi që merret, unë do të bëj më të mirën për klubin dhe respektoj çdo vendim”, ka deklaruar ai.
Pavarësisht konkurrencës së madhe, Zhegrova ka dhënë sinjale pozitive sa herë që ka marrë minuta në Serie A.
Ai ka treguar se mund të jetë një armë e rëndësishme për Juventusin, veçanërisht falë shpejtësisë, driblimit dhe aftësisë për të krijuar raste në situata një kundër një.
Ravanelli me fjalë të mëdha për Zhegrovën
Mbështetje për futbollistin kosovar ka ardhur edhe nga ish-sulmuesi i Juventusit, Fabrizio Ravanelli.
Ravanelli ka vlerësuar lart cilësitë e Zhegrovës, duke theksuar se ai është një futbollist që merr përgjegjësi dhe rrezikon me topin.
Sipas tij, pikërisht kjo mënyrë loje mund ta bëjë Zhegrovën një lojtar të aftë për të krijuar diferencën në ndeshje të rëndësishme.
“Juventusi është gjithmonë më mirë”
Zhegrova është pyetur edhe nëse Juventusi është më i fortë se Interi.
Ai nuk ka dashur të hyjë në një krahasim të drejtpërdrejtë, por ka dhënë një përgjigje që pritet t’u pëlqejë tifozëve bardhezi.
“Nuk dua të flas për këtë, por Juventusi është gjithmonë më mirë”, ka thënë Zhegrova.
Sa u përket objektivave të sezonit, ai ka theksuar se Juventusi ka cilësi të mëdha dhe se skuadra duhet të synojë fitoren në çdo ndeshje.
Për Zhegrovën, sfida tashmë është e qartë: të shfrytëzojë çdo minutë që i jepet, të fitojë më shumë hapësirë në formacion dhe të tregojë se mund të ketë rol të rëndësishëm në ambiciet e Juventusit.








