Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njofton se Ministria e Shëndetësisë ka miratuar zgjerimin e vaksinimit kundër Human Papilloma Virusit (HPV).
Vaksina do të ofrohet për të rinjtë deri në 26 vjeç, ndërsa personat 26–45 vjeç mund të vaksinohen me rekomandim mjekësor. Vaksinimi rutinë për fëmijët 11–12 vjeç vazhdon sipas kalendarit.
Sipas IKShPK-së, kjo masë parandalon kancerin e qafës së mitrës dhe sëmundje të tjera të lidhura me HPV, duke përmirësuar shëndetin e popullatës dhe duke reduktuar kostot e trajtimit në të ardhmen.
Vaksina do të jetë e disponueshme në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike në vend.









