Presidentja në largim e Kosovës, Vjosa Osmani, e lënë jashtë rikandidimit presidencial nga partia ish aleate e saj, Vetëvendosja, i ka dërguar Kuvendit të Kosovës propozim të 2011-ës për ndryshime kushtetuese që parashohin zgjedhjen e Presidentit me votë të drejtpërdrejtë qytetare.
Kjo as dhjetë orë para përfundimit të afatit kushtetues kur duhet të zgjedhet presidenti i ri ose vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Propozimi u është adresuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe deputetëve të legjislaturës së dhjetë.
Propozimi bazohet në nenin 84, paragrafi 8 të Kushtetutës, i cili i jep Presidentit të drejtën të propozojë amendamente kushtetuese.
Në letrën përcjellëse, Osmani thotë se zgjedhja e Presidentit nga qytetarët përbën një shprehje të drejtpërdrejtë të sovranitetit.
“Zgjedhja e Presidentit/es nga qytetarët përbën një shprehje të drejtpërdrejtë të sovranitetit dhe një mekanizëm që fuqizon edhe më tepër legjitimitetin demokratik”, thuhet në letër.
Ajo vijon të shtojë se “vota e drejtpërdrejtë do të garantonte pjesëmarrje më të madhe” të qytetarëve në përcaktimin e udhëheqjes së shtetit.
“Përmes votës së drejtpërdrejtë, qytetarëve u garantohet pjesëmarrje më substanciale në përcaktimin e udhëheqjes shtetërore”, shkruan Osmani.
Presidentja pretendon se një mandat i marrë drejtpërdrejt nga qytetarët rrit përgjegjësinë politike të institucionit të Presidentit.
“Ai konsolidon përgjegjësinë politike të Presidentit/es ndaj qytetarëve dhe kontribuon në thellimin e kulturës demokratike”, thuhet në dokument.
Ajo thekson gjithashtu rolin kushtetues të Presidentit si përfaqësues i unitetit të popullit dhe garantues i funksionimit demokratik të institucioneve.
“Legjitimiteti i fituar drejtpërdrejt nga populli është edhe më i rëndësishëm për një institucion që përfaqëson unitetin e popullit”, thuhet në arsyetim, raporton Nacionale.
Në përfundim të letrës, Osmani u bën thirrje deputetëve që amendamentet të procedohen për votim në Kuvend.
“Me bindjen e plotë se këto ndryshime do të kontribuojnë në thellimin e demokracisë, ju ftoj që t’i procedoni këto amendamente për votim dhe miratim”, thuhet në letër.
Paketa e amendamenteve parashikon katër ndryshime kryesore në Kushtetutë.
Amendamenti i parë ndryshon nenin 65, i cili përcakton kompetencat e Kuvendit.
Sipas ndryshimit të propozuar, Kuvendi nuk do të zgjedhë më Presidentin.
Në vend të kësaj, Kuvendi do të ketë kompetencë të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese peticion për shkarkimin e Presidentit.
Amendamenti i dytë ndryshon nenin 82 që rregullon shpërndarjen e Kuvendit.
Propozimi parasheh fshirjen e dispozitës që parashikon shpërndarjen e Kuvendit nëse Presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditësh.
Me këtë ndryshim, zgjedhja e Presidentit nuk do të jetë më arsye për shpërndarjen e Kuvendit.
Amendamenti i tretë zëvendëson tërësisht nenin 86 të Kushtetutës, që rregullon mënyrën e zgjedhjes së Presidentit.
Sipas propozimit, Presidenti do të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët me të drejtë vote.
Zgjedhjet presidenciale do të shpallen nga Kryetari i Kuvendit jo më vonë se gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të Presidentit.
Nëse një kandidat merr më shumë se 50 për qind të votave të vlefshme në rrethin e parë, ai shpallet President.
Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën absolute, zhvillohet rrethi i dytë.
Rrethi i dytë mbahet brenda 30 ditësh ndërmjet dy kandidatëve me më së shumti vota.
Kandidati që merr shumicën e votave në rrethin e dytë zgjidhet President.
Amendamenti i katërt përcakton dispozitat kalimtare për hyrjen në fuqi të ndryshimeve.
Sipas propozimit, mandati i Presidentit aktual vazhdon deri në zgjedhjen dhe betimin e Presidentit të ri.
Dokumenti gjithashtu përcakton se presidentët që kanë shërbyer para hyrjes në fuqi të amendamenteve mund të kandidojnë dhe të rizgjidhen edhe një herë.
Amendamentet e propozuara janë hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës, i formuar në vitin 2011.









