Që nga momenti kur Silvinjo mori drejtimin e Kombëtares shqiptare, shumë gjëra ndryshuan. Jo vetëm mënyra e të luajturit, por edhe mënyra e të zgjedhurit.
Trajneri brazilian ka ndërtuar një bërthamë, ku disa lojtarë janë kthyer në shtylla të padiskutueshme, ndërsa të tjerë, ndonëse me emër të madh apo të kaluar të suksesshme, kanë humbur vendin dhe minutat. Nga Kristjan Asllani, që nuk mungon thuajse asnjëherë në formacion, te Nedim Bajrami dhe Jasir Asani, që nga titullarë të padiskutueshëm kanë kaluar në hije.
Nga Strakosha, që ka fituar betejën e portës, te Berisha, që nuk është thirrur më. Dhe deri tek ata që mezi kanë grumbulluar 1 apo 2 ndeshje nën drejtimin e tij. Ky është një udhëtim statistikor dhe analitik për të kuptuar më mirë se cilët janë të besuarit e Silvinjos, kush ka dalë nga formacioni dhe cilët lojtarë janë zbehur në harresë.
TOP 5- Askush nuk ka luajtur më shumë nën drejtimin e Silvinjos sesa Kristjan Asllani. Me 26 paraqitje, ai është “motori qendror” i skuadrës, një profil që bashkon qetësinë, shpërndarjen e topit dhe qasjen moderne të një regjisori në ndërtim. Edhe pse me vetëm 2 gola dhe 2 asistime, Asllani mbetet lojtar kyç në balancën mes fazës mbrojtëse dhe ndihmës për sulmin. Nëse është dikush me të cilin Asllani ndan podiumin, ai mbetet Nedim Bajrami, me 25 ndeshje, 6 gola dhe 3 asistime.
Një nga lojtarët më produktivë në aspektin ofensiv, i cili “shpiku” disa gola edhe në ndeshje vendimtare. Kontributi i tij është i madh, pavarësisht se e ka humbur vendin e titullarit në ekip. Në tri sfidat e fundit, ai ka luajtur vetëm dy herë si zëvendësues. Ka humbur terren.
Nëse do të kishim një futbollist që do të ishte krahas Asllanit për numër ndeshjesh në epokën e Silvinjos, emri i tij është Jasir Asani, por “ftohja” që anësori ka pasur me trajnerin para ndeshjes me Andorrën në muajin mars, ka bërë që Jasiri të mbetet në kuotën e 23 ndeshjeve dhe për më tepër ai i ka nisur të gjitha si titullar. Kontributi i tij ka qenë me 5 gola dhe 5 asistime, duke rezultuar një zbulim i Silvinjos, por kohët e fundit Asani nuk po preferohet.
Për të, njësoj si Nedimi, gjërat kanë ndryshuar shumë pas ndeshjes me Anglinë në Uembli. Nëse Bajrami ka luajtur pak, për Asanin nuk është rezervuar asnjë minutë në tri ndeshjet e fundit. Në mbrojtje, Mario Mitaj ka qenë ndër më konstantët, me 23 paraqitje.
I qetë, i vendosur dhe gjithnjë prezent në ndihmë të fazës sulmuese, ai ka fituar besimin total të trajnerit dhe është bërë një “garanci” në krahun e majtë. Një dëmtim e pengoi që të luante dy ndeshjet e para të kualifikueseve të Botërorit. I fundit, por edhe ai nuk preferohet më nga fillimi, është Ylber Ramadani. Mburojë e Asllanit, mesfushori ka luajtur 22 ndeshje me Silvinjon, ku nga të cilat 20 i ka si titullar. Përveç Asllanit i cili ka mbijetuar në formacion, “garda e vjetër” e minutave, e ka humbur vendin për ta nisur nga minuta e parë me Silvinjon. I njëjti fat edhe për Ramadanin.
NUMRAT 20
Porta, një duel Strakosha– Berisha me fitues të qartë. Strakosha është përzgjedhja nr. 1 e Silvinjos, me 20 ndeshje ai ka rikuperuar rolin e tij si portieri i parë, duke lënë Etrit Berishën në hije me vetëm 6 paraqitje. Zgjedhje që tregon një ndërrim brezash, por edhe një preferencë për profilin teknik të Strakoshës. Berisha nuk është thirrur që pas Europianit. Me 20 ndeshje është edhe Qazim Laçi, i cili 8 të fundit i ka luajtur si titullar. Që në ndeshjen me Kroacinë në Europian, ku futja e tij pas sulmueseve rezultoi i qëlluar, trajneri nuk e ka ndërruar deri tani, edhe pse në ekip ka lojtarë me më shumë fantazi për atë rol, si Muçi apo Bajrami. Thjesht, i duhet ndihma dhe mbrojtja që Laçi i jep mesfushës.
ME MUNGESA
Pavarësisht se tek Atalanta ai mungon rallë dhe ka vendosur rekorde për paraqitje, me Silvinjon Gjimshiti ka luajtur vetëm 16 ndeshje nga 26 në total, duke humbur kështu plot 10 takime. Dëmtimet e shpeshta, kanë bërë që Gjimshiti të mos jetë konstant në ekipin kombëtar dhe diçka e tillë ka bërë që edhe shiriti i kapitenit të ndërrojë krah shpesh.
Po me të njëjtën numër ndeshjesh është edhe Elseid Hysaj. Edhe pse mbrojtësi i djathtë ka pasur konkurrencën e Balliut, ai ia ka dalë që të luajë 16 ndeshje me Silvinjon. Kujtojmë që Hysaj është futbollisti i dytë me më shumë prezenca në Kombëtaren shqiptare, pas Lorik Canës. Në këtë nivel renditjeje për numër takimesh, është edhe Taulant Seferi, edhe pse ky i fundit nuk është thirrur në vitin 2025 nga braziliani. Më poshtë, vijnë Ismajli dhe Hoxha, të cilët janë në kuotën e 15 takimeve. Por, me një ndryshim të madh. Ardiani i ka luajtur 14 sfida nga fillimi, Hoxha vetëm 5 të tilla, ndërsa në 10 raste ai është preferuar si titullar.
Në përballjet e fundit, Arbri ka bindur Silvinjon dhe është hedhur në fushë nga fillimi. Myrto Uzuni dhe Ernest Muçi vijojnë me renditjen, teksa të dy numërojnë 14 ndeshje me Silvinjon, me të parin që e ka nisur 6 herë, ndërsa Muçi vetëm dy herë titullar. Një gol dhe 2 asiste Uzuni, ndërsa Muçi tre gola të shënuar. Me 13 paraqitje është Arlind Ajeti dhe më pas me 12 vjen Ivan Balliu.
POSHTË 10
Sokol Cikalleshi e mbylli me ekipin kombëtar, ndërsa në statistika ai mbetet si një lojtar që Silvinjo e përdori për 9 ndeshje. Po ashtu edhe Gjasula, i cili koleksionoi 8 takime me brazilianin. Poshtë tyre, me lojtarët që kanë më pak se 10 paraqitje nën drejtimin e këtij trajneri, vijnë Marash Kumbulla me 7 paraqitje, Enea Mihaj me 6 ndeshje, Keidi Bare po aq dhe Muja me 5.
Ndërkohë, Indrit Tuci është preferuar 4 ndeshje, ndërsa Juljan Shehu, një zbulim tjetër i Silvinjos, ka kompletuar prezencën e tretë. Me po tri ndeshje janë edhe emra, si: Medon Berisha, Naser Aliji, Arbnor Muçolli, Anis Mehmeti. Këto dy të fundit janë harruar nga trajneri. Dy ndeshje ka luajtur Adrion Pajaziti dhe nga vetëm një: Amir Abrashi, Marvin Çuni, Sebastian Spahiu, Elhan Kastrati, Armando Sadiku dhe Frederik Veseli.









