I suspenduari nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, është implikuar përsëri në një skandal në sistemin prokurorial. Buzhala kishte dërguar mesazhin i cili e përfshinte anëtarin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, prokurorin Arian Gashi në një skemë të dyshimtë të ushtrimit të ndikimit në procesin e përzgjedhjes së anëtares së të KPK-së.
I degraduar në detyrë – tashmë prokuror në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë në Pejë, Ramiz Buzhala e kishte dërguar mesazhin drejtuar kryeprokurores Vuçetaj ku e arsyetuar mungesën e tij në votimin për anëtarin e ri të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Në mesazh prokurori Buzhala e implikonte prokurorin Arian Gashin në ushtrim ndikimi për votimin e “kandidates së tij”, duke iu referuar kandidates për anëtare të re të KPK-së, zëvendësprokurores së Prishtinës, Elza Bajramit.
“Përshëndetje kryeprokurore, hiq mos të vjen keq unë jua jap arsyetimin dhe ta dërgoj ditën e hëne, kur të vij në Pejë e shef sa herë më ka thirre dhe shkrue për me shku me ja votu kandidaten e tij, veç desha me ja përkujtu Arianit se me votu është e drejtë ligjore dhe asesi nuk është obiigm, me logjikën e tij qytetarët që nuk marrin pjesë në zgjedhje duhet mei dënu”, thuhej në mesazhin e prokurorit Buzhala ku arsyetonte mungesën e tij në votimin për anëtarët e ri të Këshillit Prokurorial.
Por kush është Ramiz Buzhala?
Në shtator të vitit 2022, derisa ushtronte pozitën e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala ishte munduar të manipulonte testimin për ‘Bashkëpunëtor Profesional’ në disa prokurori themelore në Kosovë.
Prokurori Buzhala ia kishte dërguar gabimisht pyetjet e testit pranues gazetares së Kallxo.com, Adelina Ahmeti.
“Ese aktakuza, Prokurori i Shtetit, Gjykata Kushtetuese, Pyetje: vazhdimi i paraburgimit për të mitur, kush e zgjedh drejtorin e njësitit të performancës, dënimet plotësuese, procedurat alternative, dallimi lirim me kusht dhe dënimi me kusht, dallimi në mes të parashkrimit të ndjekjes dhe ekzekutimit të dënimit, qëllimi i masave të diversitetit, dorëzania”, thuhej në mesazhin që prokurori Buzhala ia kishte dërguar gabimisht gazetares Ahmeti.
Në mesazhin e tij kryeprokurori Buzhala i drejtohej dikujt se “këto janë pyetjet e testit me shkrim. Shiko shfrytëzoje kohën deri në orën 13:00”.
Pas skandalit me manipulimin e testimit për pozitën ‘Bashkëpunëtorë Profesional’ në Prokuroritë Themelore, Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte marrë vendim për suspendimin e kryeprokurorit Buzhala, ndërsa konkursi ishte anuluar.
Para Komisionit Disiplinor të KPK-së, prokurori Buzhala kishte thënë se pyetjet e testimit do t’ia dërgonte djalit të tij, por që gabimisht ia kishte dërguar gazetares.
Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte vendosur edhe për degradimin e prokurorit Buzhala duke e ulur nga pozita e kryeprokurorit në prokuror në kuadër të Departamentit të Përgjithëm.
Prokurorit Buzhala, KPK-ja ia kishte bërë edhe ndryshimin e prokurorisë duke e transferuar nga ajo e Gjakovës në Prokruorinë Themelore të Pejës.
Së fundmi, Buzhala kishte bërë kërkesë për transferimin në Prokurorinë Themelore në Prizren, por një kërkesë e tillë ishte refuzuar nga Këshilli.






