Në orët e para të mëngjesit të së dielës (22 Qershor), bombarduesit amerikanë B-2 sulmuan tre centrale bërthamore të Iranit, duke pretenduar shkatërrimin e infrastrukturës së këtyre objekteve.
Por si nis sulmi bombardues i SHBA-ve ndaj Iranit?
Sipas Reuters, ushtria amerikane përdori një diversion për të mashtruar armikun që të mos ishte në dijeni të sulmit.
Bombarduesit e padukshëm B-2 të Forcave Ajrore Amerikane u nisën nga Baza Ajrore në Misuri, duke fluturuar drejt ishullit të Paqësorit, Guam, që u mendua se ishte një pozicionim paraprak për çdo vendim të mundshëm të SHBA-ve për të sulmuar Iranin. Kjo bazuar edhe në faktin që Presidenti Trump pati deklaruar se vendimin do ta marrë brenda 2 javësh.
Por tashmë rezulton që kjo metodë ishte një trillim.
Skuadra e vërtetë prej shtatë bombarduesish të fshehtë B-2 fluturoi në lindje pa u zbuluar për 18 orë me radhë, duke mbajtur komunikimet me radio sa më pak që të ishte e mundur dhe duke u furnizuar me karburant në ajër.
Kur bombarduesit iu afruan hapësirës ajrore iraniane, bëhet me dije se një nëndetëse amerikane lëshoi duzina me raketa Tomahawk.
Sulmi ndaj tre lokacioneve kryesore bërthamore të Iranit ishte ndër më të mëdhenjtë ndonjëherë të ndërmarrë nga bombarduesit e fshehtë B-2 dhe përbënte operacionin e dytë më të gjatë të fluturimit nga këta avionë, i tejkaluar vetëm nga ata pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara nga al-Kaeda.
Ky operacion përfshiu mbi 125 avionë ushtarakë amerikanë, dhe nga perspektiva e ushtrisë amerikane, ai u konsiderua një sukses i jashtëzakonshëm taktik. Ndërkohë, iranianët nuk ishin në gjendje të qëllonin asnjë plumb ndaj avionëve amerikanë.
Operacioni ishte koduar “Midnight hammer” dhe ishte mbajtur sekret edhe për shumë zyrtarë të lartë amerikanë.






