Rusia vijon operacionet në terren, ndërsa në Shtëpinë e Bardhë në Uashigton, Presidenti Donald Trump, do të presë pasditen e sotme, homologun ukrainas dhe liderët europianë, për të diskutuar mbi një plan që synon përfundimin e luftës në Ukrainë, e nisur nga Rusia 3 vjet e 6 muaj më parë.
Sipas raportimeve ukrainase, nga sulmet e fundit ruse janë vrarë të paktën 10 persona. Një familje e tërë, përfshirë një fëmijë të vogël dhe vëllain e tij 16-vjeçar, ishin midis shtatë të vrarëve në një sulm me dron gjatë natës në një zonë banimi në qytetin verilindor të Kharkiv, thanë autoritetet. Si p[asojë e sulmit janë plagosur 23 persona.
Axhenda e takimit është si më poshtë:
Në orën 19:00, udhëheqësit evropianë do të mbërrijnë në Shtëpinë e Bardhë
Në orën 20:00, Presidenti i SHBA-së do të përshëndesë Zelenskyn
Në orën 20:15, në Zyrën Ovale do të fillojë një takim dypalësh midis presidentëve të Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës
Në orën 21:15, kreu i Shtëpisë së Bardhë do të takohet me udhëheqësit evropianë në Sallën e Shtetit
Në orën 21:30 do të ketë një foto të përbashkët të Presidentit Amerikan me udhëheqësit evropianë në Cross Hall
Në orën 22:00, në Sallën Lindore do të fillojë një takim shumëpalësh midis Presidentit të SHBA-së dhe udhëheqësve evropianë
Mesazhi i ri i Trump: E di saktësisht çfarë po bëj
Presidenti amerikan, Donald Trump ka publikuar mesazhin e rradhës në Truth Social, ku ka folur hapur për punën e tij në arritjen e paqes, përpara bisedimeve potencialisht vendimtare për Ukrainën që do të zhvillohen sot.
“E di saktësisht se çfarë po bëj”, tha presidenti amerikan.
Trump e ka quajtur vazhdimisht veten “paqebërës” gjatë mandatit të tij të dytë. Ai gjithashtu ka shprehur mospajtimin e tij me mbulimin mediatik të administratës së tij.
“Kam zgjidhur 6 luftëra në 6 muaj, njëra prej të cilave ishte një katastrofë e mundshme bërthamore, megjithatë më duhet të lexoj dhe të dëgjoj Wall Street Journal dhe shumë të tjerë që me të vërtetë nuk kanë idenë, duke më thënë gjithçka që po bëj gabim në rrëmujën Rusi/Ukrainë”, tha Trump në një postim të fundit në rrjetet sociale.
Ukraina: Presim përparim në garancitë e sigurisë
Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sibikha theksoi se pritshmëritë nga takimi në Shtëpinë e Bardhë janë të larta. “Nëse flasim për pritjet nga ky takim, bëhet fjalë për përparim të mëtejshëm, për një kuptim më të qartë të parametrave të garancive të sigurisë në të ardhmen, diçka jashtëzakonisht e rëndësishme.
Është gjithashtu një hap drejt një takimi trepalësh Zelensky – Putin – Trump, me pjesëmarrjen e mundshme të udhëheqësve të tjerë të aleatëve tanë. Sigurisht, ka edhe çështje të rendit të ditës dhe orarit”, tha ai.
Sibiha e përshkroi situatën aktuale si “vendimtare”, pasi, siç vuri në dukje ai, mobilizimi maksimal i përpjekjeve diplomatike mund të sjellë një paqe të drejtë më afër.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me “vijat e kuqe” të Ukrainës, ai ishte kategorik: “qëndrimet themelore të palës ukrainase mbeten të pandryshuara. Presidenti ukrainas shkoi në Uashington, si gjithmonë, me një qëndrim të fortë, të koordinuar me të gjithë aleatët: Krimea është Ukrainë. Ekziston një Kushtetutë e Ukrainës, e cila përcakton të gjitha përgjigjet për këtë pyetje.”
Sibiha shtoi se një tjetër parim i panegociueshëm për Kievin është mospranimi i çdo kufizimi në aftësitë e ushtrisë ukrainase dhe mbrojtjes së vendit.
Çfarë dimë rreth premtimit të SHBA-së për “garanci sigurie” të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s?
Pas takimit Trump-Putin në Alaska, “ne arritëm të siguronim lëshimin e mëposhtëm: që Shtetet e Bashkuara të mund t’i ofrojnë [Kievit] mbrojtje të ngjashme me Nenin 5, i cili është një nga arsyet e vërteta pse Ukraina dëshiron të bashkohet me NATO-n”, tha i dërguari i SHBA-së për Ukrainën, Steve Witkoff.
Përpara se të udhëtonte për në Uashington, Emmanuel Macron siguroi se evropianët do ta pyesin Donald Trumpin “deri në çfarë mase” ai do t’i mbështesë garancitë e sigurisë të ofruara Kievit.
Çfarë është Neni 5?
Ai përcakton që çdo sulm ndaj njërit prej vendeve anëtare të aleancës konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Çdo shtet duhet të marrë “menjëherë masat që i konsideron të nevojshme, duke përfshirë përdorimin e forcës së armatosur”. Prandaj, nuk ka përfshirje automatike të drejtpërdrejtë ushtarake. Përgjigja mund të marrë, për shembull, formën e mbështetjes logjistike ose furnizimit me pajisje ushtarake.
Telefonanat e Putin pas takimit në Alaska
Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin indian Narendra Modi, gjatë së cilës e informoi kryeministrin për rezultatet e takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump në Alaska.
“Faleminderit miku im President Putin për telefonatën dhe për ndarjen e takimit tuaj të fundit me Presidentin Trump në Alaska”, shkroi Modi në llogarinë e tij X. Në përfundim, ai vuri në dukje se pret kontakte të reja me Vladimir Putin në ditët në vijim.
Më vonë, u bë e ditur edhe për një bisedë midis Vladimir Putin dhe Presidentit brazilian Lula da Silva, si dhe kreut të Kirgistanit, Sandir Japarov.
Këto nuk ishin të vetmet telefonata ndërkombëtare që Presidenti Putin bëri sot. Më herët gjatë ditës, ai diskutoi takimin në Alaska me Presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, dhe Presidentin e Taxhikistanit, Emomali Rahmon.
Një ditë më parë, Putin zhvilloi gjithashtu bisedime me homologun e tij bjellorus, Alexander Lukashenko, nga Kazakistani, Kassym-Jomart Tokayev dhe nga Uzbekistani, Shavkat Mirziyoyev.
Gjermania dhe Polonia refuzuan të dërgonin paqeruajtës në Ukrainë
Gjermania nuk ka kapacitetin financiar për të vendosur trupat e saj në Ukrainë brenda kuadrit të garancive të sigurisë. Kjo u deklarua nga kreu i Ministrisë së Jashtme gjermane, Johann Wadephul, në podkastin Table Media.
“Bundesëehr-i ka vendosur tashmë një brigadë në Lituani. Një vendosje shtesë e ushtarëve gjermanë në Ukrainë ndoshta do të ishte një barrë shumë e madhe për ne”, tha ministri. Megjithatë, sipas tij, Berlini duhet të luajë një rol të rëndësishëm në sigurimin e një paqeje të mundshme në Ukrainë. “Ukraina ka nevojë për garanci sigurie. SHBA-të e kanë bërë të qartë se janë gati për këtë. Tani duhet të shohim se çfarë mund të zbatohet së bashku me evropianët”, vuri në dukje zyrtari.
Qeveria e presidentit të ri polak, Karol Nawrotski, gjithashtu kundërshtoi dërgimin e forcave paqeruajtëse në Ukrainë pas luftës.
“Sot kemi të bëjmë me të ashtuquajturin koalicion të të vullnetshmëve. Mund të kemi harruar tashmë se çfarë lloj koalicioni ishte, dhe ishte një koalicion vendesh që ishin gati të dërgonin trupat e tyre në Ukrainë. Kjo nuk është zgjidhja më e mire”, tha ai.
Presidenti Karol Nawrotski deklaroi drejtpërdrejt se nuk është dakord me dërgimin e ushtarëve polakë në Ukrainë.
Qeveria ukrainase pret që lufta të vazhdojë deri në vitin 2026
Kabineti pret që lufta në Ukrainë të vazhdojë vitin e ardhshëm. Vendit do t’i duhen 45 miliardë dollarë shtesë për këtë. Qeveria ende nuk e ka siguruar shumën e plotë. Kjo u njoftua nga Ministri i Financave Sergei Marchenko gjatë prezantimit të programit të qeverisë së re.
“Ne presim që operacionet ushtarake të vazhdojnë në vitin 2026. Kjo rrjedhimisht mbulon nevojën tonë, e cila është 45 miliardë dollar, kjo është nevoja për financim të jashtëm, duke përfshirë deficitin plus shlyerjen e borxhit. Sot, kjo nevojë nuk është mbuluar plotësisht. Mendoj se së bashku me FMN-në, aleatët tanë kryesorë, do të arrijmë në një opsion të pranueshëm se si t’i mbulojmë këto nevoja”, tha Marchenko.
Zelensky nuk do të mbajë kravatë, të njëjtën xhaketë si në Hagë
“Do të ishte një shenjë e mirë për botën nëse Zelensky do të vishte kostum sot. Por ne nuk presim që ai ta bëjë këtë”, tha për Axios një nga këshilltarët e Presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Sipas tij, ata gjithashtu nuk presin nga udhëheqësi ukrainas që të vendosë kravatë, megjithëse shoqëruesit e Trump shpresonin që këtë herë ai të dukej më formal.
“Këshilltarët e Trump do të donin që Zelensky të vishte kravatë sot, por ai nuk do të veshë kravatë”, komenton Axios.
Kontakti i parë i parë i Zelenskyt në SHBA
Volodymyr Zelensky, siç raportohet nga Ukrinform, është takuar me të dërguarin special të Donald Trump, Keith Kellogg, përpara fillimit të negociatave me udhëheqësit amerikanë dhe evropianë në Uashington.
Takimi i politikanit me Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ukrainën dhe Rusinë ka përfunduar.
“Kjo është hera e parë që një takim është mbajtur në një kontekst të tillë, me seriozitet të madh”, tha Zelensky.
Në një deklaratë të postuar në mediat sociale, ai falënderoi Kellogg për takimin dhe shtoi: “Rusia mund të detyrohet të bëjë paqe vetëm me forcë, dhe Presidenti Trump e ka atë forcë.”
Starmer: Duhet të sigurohemi që paqja të jetë e qëndrueshme
Në një video të postuar në X nga aeroplani që e çonte në Uashington, kryeministri britanik Keir Starmer tha se lufta përveç Ukrainës, “ka pasur pasoja për Evropën dhe për çdo familje në Mbretërinë e Bashkuar”. Në këtë kuadër Starmer në mesazhin e tij thotë se lufta duhet të zgjidhet nga “të gjithë, jo vetëm ukrainasit”. “Ne duhet të sigurohemi që paqja [që duam] të jetë e qëndrueshme, e drejtë dhe e barabartë. Kjo është arsyeja pse po shkoj në Uashington”, vazhdoi ai.
Evropianët takohen me Zelenskyn përpara se të takohen me Trumpin
Udhëheqësit evropianë në Uashington do të zhvillojnë bisedime me Volodymyr Zelensky përpara takimit të tij me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, i cili është planifikuar për në orën 19:00, sipas një deklarate nga Komisioni Evropian.










