Aktivistja e të drejtave të grave kritikon gjuhën seksiste të përdorur nga Sami Lushtaku ndaj deputetes Adriana Matoshi.
Aktivistja për të drejtat e grave, Zana Avdiu, ka reaguar ashpër pas deklaratës së Sami Lushtakut drejtuar deputetes Adriana Matoshi. Gjatë një përplasjeje verbale, Lushtaku iu drejtua Matoshit me fjalët:
“Ajo është si me dalë prej një shtëpie publike e jo që është deputete.”
Avdiu e ka cilësuar këtë deklaratë si shembull tipik të gjuhës së ulët dhe seksiste, që sipas saj synon të godasë gratë në politikë dhe në jetën publike. Ajo thekson se ky lloj komunikimi reflekton një mentalitet që e sheh gruan përmes prizmit të seksualitetit dhe “nderit”.
Sipas aktivistes, në këtë lloj mendësie ofendimi më i rëndë që mund t’i bëhet një gruaje është ta quash “kurvë” apo “prostitutë”. Ajo argumenton se një grua stigmatizohet më shumë për lirinë e saj seksuale sesa për çdo veprim tjetër, dhe se ky është një standard i dyfishtë që e dëmton rëndë pozitën e grave në shoqëri.
Në një video Avdiu shtroi pyetjen se pse figura publike përdorin seksin për të ofenduar gratë, duke thënë se kjo lidhet me një kulturë që vazhdon t’i gjykojë gratë në bazë të trupit të tyre dhe moralit të supozuar seksual. Sipas saj, sulmi i Lushtakut nuk është vetëm ndaj Adrianës Matoshi, por ndaj të gjitha grave që flasin, kundërshtojnë ose marrin hapësirë në publik.
Ajo e interpretoi reagimin e Lushtakut si mungesë argumenti politik. “Kur burrat nuk kanë argument, kur ndihen të sfiduar, kthehen te ofendimi seksual ndaj grave, sepse patriarkati ua ka normalizuar këtë armë,” shkroi Avdiu.
Edhe pse Matoshi ka bërë disa akuza të vlerësuara si jokorrekte në drejtim të Lushtakut dhe familjes së tij, Avdiu theksoi se përgjigjja e tij duhej të ishte politike, jo seksiste. Sipas saj, përdorimi i gjuhës denigruese tregon një kulturë patriarkale të thellë dhe zhvendos vëmendjen nga problemet reale politike si korrupsioni, ekonomia, ikja e qytetarëve apo gjendja e shëndetësisë.
Mesazhi i saj përfundimtar ishte i qartë:
“Sami, nëse kritikohesh politikisht, përgjigju politikisht dhe jo me sulme ndaj grave.”






