Ish-deputetja thotë se kalimi i pragut është sfidë për Nismën, por beson se partia do të bëhet pjesë e institucioneve pas zgjedhjeve.
Ish-deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka deklaruar se formimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve varet nga vullneti politik i subjekteve, duke kujtuar situatën e zgjedhjeve të kaluara, kur LVV doli e para por nuk arriti të formonte institucionet për shkak të mungesës së konsensusit.
Ajo theksoi se një situatë e tillë nuk duhet të përsëritet dhe se, sipas saj, Nisma me Fatmir Limajn është e domosdoshme për Kuvendin dhe stabilitetin e qeverisjes. Izmaku pranoi se kalimi i pragut zgjedhor mbetet sfidë për Nismën, por u shpreh optimiste.
“Ne jemi racional. Edhe zoti Limaj e ka thënë se jemi të vetëdijshëm që pragu zgjedhor është një sfidë për Nismën. Por duke parë fillimin e fushatës, besojmë se kjo sfidë nuk do të jetë e patejkalueshme,” tha Izmaku.
Ajo shtoi se vërehet interesim për ta mbështetur Fatmir Limajn, të cilin e cilësoi si figurë unifikuese në një kohë që, sipas saj, skena politike është më e përçarë se kurrë pas luftës.
“Njerëzit kanë filluar të shohin se Kuvendit dhe lidershipit kosovar i duhet zoti Limaj brenda,” përfundoi Izmaku.






