Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), gjenerali Xhevahir Geci, ka vendosur të mos kandidojë për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit.
Geci, ditë më parë, ka vizituar simpatizantë dhe aktivistë të PDK-së në diasporë, të cilët i ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj tij dhe PDK-së. Sipas burimeve ai i ka njoftuar ata se nuk do të kandidojë për deputet, duke theksuar se arsyet e këtij vendimi janë personale.
Ai ka bërë të ditur se ka zgjedhur t’u lërë hapësirë të rinjve, të cilët, sipas tij, mund të japin më shumë për partinë dhe angazhimin politik.
Megjithatë, Geci i ka siguruar miqtë dhe aktivistët se do të mbetet aktiv në jetën politike. Po ashtu, ai u ka bërë thirrje qytetarëve dhe elektoratit të PDK-së që të mobilizohen dhe të dalin masivisht në mbështetje të Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza.
Sipas Gecit, fuqizimi i PDK-së do të ndikojë edhe në procesin e lirimit të ish-drejtuesve të UÇK-së, për të cilët ai është shprehur optimist se do të lirohen.









