Kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka reaguar pas deklarimeve të fundit të gazetarit Lirim Mehmetaj.
Tahiri ka kujtuar një moment nga viti 2024, kur pas një intervistimi në Prokurori, ai i kishte ofruar Mehmetajt ndihmë juridike falas nga zyra e tij e avokatisë, në shenjë respekti për punën e gazetarit. Sipas tij, kjo foto ishte bërë atë ditë, pas një bisede miqësore.
“Fillimisht isha i befasuar kur Lirim Mehmetaj e pati bërë sulmin e parë lidhur me një çështje për të cilën ekziston edhe vendim gjyqësor, ndërsa sot, me këtë deklarimin e fundit, është mëse e qartë i gjithë mozaiku dhe motivi i këtij sulmi”, ka thënë Tahiri.
Ai ka theksuar se është e drejtë kushtetuese që secili qytetar të zgjedhë avokatin e tij, sikurse zgjedh mjekun për shëndetin. “Detyra e avokatit është të përfaqësojë dhe të mbrojë të drejtat e klientit”, ka shtuar ai.
Duke iu drejtuar Mehmetajt, Tahiri ka thënë se i vjen keq që si gazetar ka rënë pre e “strukturave të njohura për veprime të tilla”, dhe e ka ftuar të reflektojë e të kërkojë falje për deklarimet që sipas tij lidhen me interesa politike dhe me fushatën për zgjedhjet lokale.
Në fund, kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë është shprehur:
“Koha e ngecjes së Vushtrrisë ka përfunduar!”









