Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Vushtrrinë, Xhafer Tahiri, ka thënë se qytetarët po kërkojnë që buxheti i komunës të kthehet tek ata dhe jo të mbetet i pashfrytëzuar për nevojat e tyre.
Ai tha se tubimi i mbajtur në Shkollën “Naim Frashëri” tregoi qartë kërkesën e banorëve për ndryshim.
“Qytetarët e Vushtrrisë kërkojnë që buxheti i Komunës të kthehet tek ata. Qyteti është ngritë i tëri, tubimi në Shkollën ‘Naim Frashëri’ vërtetoi këtë. Bashkë me Edonën, me një entuziazëm të madh, takuam banorët e lagjes,” – shkroi Tahiri.
Ai akuzoi udhëheqjen aktuale të komunës se nuk ka realizuar asnjë projekt në këtë pjesë të qytetit.
“A e dini sa projekte i ka kryer Komuna këto 4 vite në këtë pjesë të qytetit? Përgjigja është 0 dhe banorët e dinë këtë!” – shkroi Tahiri.
Tahiri premtoi se në mandatin e ardhshëm do të sjellë ndryshim duke realizuar këto projekte:
Mësim të tërë ditor në shkollën “Naim Frashëri”;
Rregullim të kanalizimit atmosferik në lagjen “Lidhja e Lezhës”, pastrim të pusetave, ndriçim dhe trotuare;
Rregullim njëherë e mirë të lumit “Tërstena”.
Ai gjithashtu kujtoi projektet që janë realizuar gjatë mandatit të tij të mëparshëm në këtë lagje:
Ndërtimi i QKMF-së;
Rregullimi i Shtëpisë së Pleqve;
Fillimi i projektit të Silnicës;
Rregullimi i trotuarit në lagjen “Lidhja e Lezhës”;
Largimi i barakave dhe rinovimi i Muzeut të Qytetit;
Parku pranë Ambulantës së vjetër.
Tahiri tha se këto investime janë dëshmi e angazhimit të tij dhe premtoi se në mandatin e ardhshëm do të fokusohet në realizimin e projekteve të reja që do t’i shërbejnë qytetarëve.









