Kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, është takuar sonte me mësimdhënës dhe veteranë të arsimit nga komuna, për të ndarë vizionin e tij për zhvillimin e këtij sektori.
Në fjalën e tij, Tahiri i falënderoi për kontributin e çmuar ndër vite dhe theksoi se në mandatin e tij, arsimi do t’u besohet profesionistëve të fushës.
Ai prezantoi gjithashtu planin për arsimin për katër vitet e ardhshme, i cili përfshin:
Zhvillimin e mësimit tërë ditor në shkolla të përzgjedhura;
Hapjen e çerdheve publike në 5 fshatra të komunës;
Subvencionimin e çmimeve për fëmijët që ndjekin çerdhe private;
Krijimin e një mense qendrore për përgatitjen e ushqimit për nxënësit;
Dyfishimin e numrit të bursave për studentë;
Asistentë për nxënësit me nevoja të veçanta;
Mbulim të shpenzimeve për logopedë dhe psikologë për të gjithë fëmijët e Vushtrrisë.
Tahiri theksoi se arsimi do të jetë prioritet në qeverisjen e tij dhe se çdo veprim do të ketë në qendër të vëmendjes fëmijët dhe të rinjtë e komunës.









