spot_img
Saturday, December 13, 2025
spot_img

Xhafer Shatri: Llaptopi i Nazim Bllacës apo i Elmi Reçisës?

A. Orteku i rrenave

Para sa kohësh, në emisionin Debat Plus, në TV Dukagjini, u paralajmërua një «verë e nxehtë me tema të vala». Në fakt këtu nuk kishte asgjë të valë, sepse kryetemë ishte shkapurdhja selektive nëpër thesin e madh, por të shqyer kaherë të Nazim Bllacës dhe të organizatës kriminale që ai i takonte dhe i shërbente.

Bllaca si temë është shterruar sa e sa herë këto 16 vitet e fundit.

Dhe prej saj nuk kanë mbetur as pendlat, as hiri.

E vetmja e re aty ishte lakimi i emrit tim, prandaj po e jap një sqarim të domosdoshëm për rastin, por edhe për seleksionimin perfid të përmbajtjes së thesit të neveritshëm të SHIK-ut.

Zatën ky ‘spin’ nuk ka asgjë të përbashkët as me gazetarinë hulumtuese e as me zbardhjen e ndonjë të vërtete të panjohur për opinionin.

Duke qenë person publik, megjithatë duhet të jap një sqarim esencial. Këtë edhe e kam premtuar.

Sqarimi im është vonuar, sepse në vend të tij kisha planifikuar ta publikoj një dokument procedural që do ta shpjegonte qartazi shkakun pse kam komunikuar me Nazim Bllacën. Por, meqë dosja, nga e cila rrjedh ai dokument është riaktivizuar në fillim të këtij viti (Jo nga Haga…), unë nuk kisha të drejtë të publikoj elemente të saj.

Pa ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, po e jap një version të përmbledhur të fakteve:

Është e vërtetë se unë kam komunikuar me Bllacën, madje edhe e kam takuar atë, në shtëpinë e tij, në Ribar.

E kam takuar për t’i plotësuar informatat e mia lidhur me tri raste të rënda, të kryera nga eskadroni i vdekjes të cilit i takonte Nazim Bllaca:

1. Më 28 nëntor të vitit 1999, mërgata shqiptare në Gjenevë, njëra prej qëndrave më të njohura jashtë për përpjekjet në shërbim të çlirimit të Kosovës, e kishte organizuar festimin e Ditës së Flamurit.

Më në fund njerëzit e Kosovës po e festonin edhe aty mrekullinë e të qënit qytetarë të një vendi të lirë.

Salla kishte qenë plot, rreth 1500 mërgimtarë.

Njëri prej tyre ka qenë edhe një familjari im, asokohe 16 vjeçar. Edhe ai, me shokët e tij, kishte shkuar në Festën e Lirisë dhe të Flamurit.

Unë asokohe kam qenë në Kosovë. Në Kosovën e çliruar.

Kah mesi i programit festiv, një burrë i pjekur, i afrohet familjartit tim dhe i thotë: po të thërret dikush jashtë.

Ai del nga salla. Në korridor kishin qenë dy djem rreth 20 vjeçar. Burri që e kishte thirrë e mbyllë derën prapa, ndërsa ata djemtë, pa asnjë paralajmërim apo arsye i gjuhën në shpinë me grushte e me shqelma derisa e bëjnë një fëmijë 16 vjeç për spital.

I kam pasur të gjitha mundësitë me i çu në burg dhe për shumë vjet, por nuk e kam bërë, për dy arsye;

a. Personi që kishte organizuar rrahjen mizore të familjarit tim, me profesion mësues dhe njëherit agjent i fshehtë e i kahershëm i UDB-së, asokohe ishte konvertuar në ‘mbështetës’ të zhurmshëm të luftës në Kosovë dhe e dija se veglat e tij nuk do ta denonconin kurrë. Nga frika, natyrisht.

b. Nuk kam dashur që para institucioneve dhe qytetarëve të Gjenevës, që na kishin mbështetur besnikërisht dhe dy dekada rresht, të dalë një skandal aq i shëmtuar e komprometues për komunitetin shqiptar aty.

«Derisa më rrahnin mua të shanin e të çonin selame ty… Para se ta humb vetëdijen, e vetmja gjë që më kujtohet është se nga salla ndëgjohej kënga për Adem Jasharin… Dhe duartrokitjet…»

Kështu ma pati shpjeguar familjari im, një fëmijë 16 vjecar, përballjen e tij me egërsinë e çakejve të Kosovës.

Se paku 1 vit para këtij krimi, unë isha larguar përgjithmonë nga politika dhe merresha me gazetari.

2. Më 11 qërshor të vitit 2001, Dega e LDK-së në Zvicër e kishte organizuar një takim me ithtarët e saj në Gjenevë.

Aty ishin të pranishëm Nekibe Kelmendi, sekretare e përgjithshme e LDK-së dhe bashkëkryesuese e departamentit të Drejtësisë në Këshillin Administrativ (qeverisë) të Kosovës; Adem Salihaj, kryetar i Kuvendit të Komunës dhe i Degës së LDK-së në Ferizaj dhe Samet Dalipi, kryetar i Kuvendit të Komunës dhe i Degës së LDK-së në Viti.

Në sallë kanë qenë rreth 300 bashkatdhetarë. Derisa mysafirët e Degës po u flisnin ithtarëve të partisë së tyre për problemet me të cilat po përballej Kosova e pas Luftës, disa persona, që nuk kishin asgjë të përbashkët me LDK-në, kishin hyrë në sallë, ishin vendosur në pika «strategjike» të saj dhe prej aty lëshonin fjalë, britma e sharje me qëllim që ta prishnin tubimin.

Ishte fjala për një diversion të mirorganizuar huliganësh politikë, të ushtruar me vite në këso poshtërsishë.

Në një moment, njëri prej tyre, përndryshe bashkëfshatar dhe bashkëluftëtar i Nazim Bllacës, mësyen drejt binës për t’i qëruar hesapet fizikisht me funksionarët e LDK-së.

Duke parë rrezikun evident të një gjakderdhjeje masive, intervenon Fahri Mahalla njëri prej burrave dhe veprimtarëve më të vendosur e më të respektuar të Lëvizjes tonë Kombëtare në Zvicër. Falë aftësisë dhe gjakftohtësisë tij është evituar një masakër ndërshqiptare në zemër të Evropës.

Ndërkohë, dikush nga grupi i organizuar për ta prishur tubimin, i kishte shkrehu 4-5 krisma ndërsa një tjetër kishte hedhur drejt podiumit një shishe xhami që u bë thërrime.

Ua përkujtoj lexuesve të këtij shkrimi se Nekibe Kelmendit, dy vjet para kësaj ngjarjeje të shëmtuar, Serbia ia kishte pushkatuar burrin dhe të dy djemtë.

Ndërkaq Adem Salihaj, që në vitin 1972 ishte pjesëtar i Grupit Revolucionar dhe, në pranverë të vitit 1981, ani se gazetar i RTK-së dhe i vetëdijshëm për pasojat, doli nga zyra dhe mori pjesë aktive në demonstratat e vitit 1981, për çka u dënua me shumë vjet burg. Ai u dënua sërish në vitin 1993, si pjesëtar i Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. Ai i kishte kaluar rreth 12 vjet të jetës së tij nëpër burgjet e Serbisë. Jo për pisllëqe, por për Kosovën dhe çlirimin e saj.

Këto hollësi për ta kuptuar lexuesi se cilën kategori të shqiptarëve e kishte vënë në shënjestër kupola që udhëhiqte eskadronet e vdekjes me ushtarë si Bllaca

3. Në vitin 2009, pasi EULEX-i u shtri gjithandej në Kosovë dhe filloi së funksionuari, një mërgimtar që e njihja mirë kishte filluar të punonte aty. Ky më kërkonte me këmbëmgëngulje të takohemi «për të biseduar për çështje tepër serioze».

Kur u takuam më tregoi se po punonte në EULEX dhe se ishte në dijeni për një dosje serioze që kishte të bënte me mua:

«Në vitin 2003, kur e ke shkruar një shkrim që është propozuar të nominohet si shkrimi më i mirë i vitit e ku ti stigmatizon parinë e Kosovës se po e saboton shpalljen e Pavarësisë, se është zhytur në krime e pisllëqe etj., është vendosur me ta hjekë flamën. Prandaj, disa muaj më vonë, edhe e kanë dërguar një person nga Kosova për ta kryer këtë punë.“

Vrasësit me pagesë, terrenin dhe logjistikën ia kishin përgatitur ata që kishin organizuar rrahjen e familjarit tim, por edhe skandalin në mbledhjen e përmendur të LDK-së.

« Si duket ti ke shpëtuar për sa kimja e kresë…»

Më dha detaje se në këtë poshtërsi ishin implikuar edhe dy pronarë mediesh që realisht ishin jeniçerë të Shikut por edhe pjesëmarrës në krime të tjera, sidomos në vrasjen e Ekrem Rexhës, komandant Drinit.

Edhe në rastin që po evokoj, roli diabolik i këtyre dy kalemxhinjve kriminelë kishte qenë përgatitja e opinionit për krimin që pritej të ndodhte. Detyra e tyre ishte që përmes lajmeve të rrejshme të krijohej opinioni që krimi pastaj t’i mvishej taborrit politik kundërshtar.

Ky ishte vetëm një konfirmim i gjërave që dija shumë mirë.

B. Fillet e Hagës janë te bisedat telefonike

Bashkebiseduesi më tregoi për klimën që ishte krijuar dhe se çdonjëri që e kishte mizën nër kapuç përpiqej t’i lëbyrej EULEX-it.

Në takimin e dytë, ma solli incizimin e një bisede telefonike që kisha pasur, në fillim të shtatorit të vitit 1998, me një eksponent të të ashtuquajturës Drejtori politike e UÇK-së, ku më paralajmërohej qartazi e me kërcënim ajo që ndodhi më vonë e që u quajt «Vrasja e shekullit».

Sipas punonjësit të EULEX-it, disa shtete perëndimore, ku mërgimtarët e Kosovës kishin pasur aktivitet të dendur atdhetar, ia kishin dërguar EULEX-it incizimet e bisedave telefonike të shumicës së personave përgjegjës të veprimtarisë atdhetare në mërgim e në Kosovë. E sidomos transkriptet e komunikimit përmes telefonave satelitorë.

Nuk fliste hava, sepse incizimi që ma solli ishte origjinal.

Sipas të njëjtit burim, më vonë, të gjitha këto incizime i ishin dërguar Gjykatës Speciale, në Hagë. Dhe pikërisht ky material inkriminues ishte kaladashi që shkaktoi ortekun e krejt asaj që quhet Gjykatë Speciale.

Ai më dha detaje gjithashtu për vrasjen e Ibush Kllokoqit. Kjo vrasje ishte kryer për të mos u zbuluar, veç të tjerësh, edhe dy spiunë të UDB-së që kishin lidhje të drejtpërdrejt familjare ose organizative me Eskadronin e vdekjes, që i përkiste edhe Nazim Bllaca.

Po e nënvizoj se këto helaqe ishin të implikuar drejtpërdrejtë në të tria rastet që po i trajtoj në këtë sqarim.

Më foli për klimën nëpër skutat ku vepronin shefat e Bllacës, më foli për Zanzibarin, ku ky me cubat që u prinin eskadroneve të krimit, kishte pirë wiski me okë dhe i kishte mjelë me vite. Ua kishte skanuar edhe zorrët në bark.

Qëllimi i atyre që e kishin dërguar te unë ishte që ta gjejnë dikënd që kishte fakte, aftësi dhe guxim për t’u përballur publikisht me shefat e Nazim Bllacës para një gjykate që do udhëhëqnin të huajt.

Ia bëra të qartë fill dhe me këto terma :

«Kurrë, as katragjyshi, as gjyshi e as babai im nuk e kanë pastruar qoftë shtëpinë, qoftë oborrin, qoftë sokakun me fshisë ose me dorë të huaj! E këtë nuk do ta bëj as unë.»

Përgjigjja e tij ishte aty për aty:

«Por ata që kanë urdhëruar të kryhen krime kaq të rënda kundër shqiptarëve, mes të tjerësh edhe të tillë që gjithë jetën e tyre e kanë shkri për Kosovën, nuk do të ndëshkohen kurrë…»

«Mund të ndodhë, i thashë, por për mua nuk është me rëndësi verdikti i gjykatave sa është verdikti i historisë. Sepse i takoj gardës spartane të idealistëve të Kosovës që nuk i shkon mbrapa as koria, as cubnia, por e drejta.»

C. Takimi me Bllacën

Këto që përmenda më sipër më kanë cytur ta takoj Nazim Bllacën. Para se të shkoj te ai, e kam ditur se do të më incizojë, ai vetë, por edhe EULEX-i, Kfor-i, Shiku dhe dreqi e i biri. Prandaj pjesën më delikate të bisedës me Bllacën e kam bërë, pasi e kemi kryer takimin dhe kur ka dalë të më përcjellë në korridor.

Aty ia kam shtruar pyetjet që kërkoja përgjigje. Të m’i identifikonte 3 persona dhe 2 pseudonime, të më japë informata për zinxhirin komandues, mënyrën e marrjes së vendimeve për vrasje dhe sidomos për implikimin e Elmi Reçicës në këto që vura në spikamë…

Ajo që mund ta them është se nga biseda që pata me Bllacën, ndër të tjera, kuptova se ai, në fakt, punonte për njërin nga ata që sot është në Hagë e që përpiqej atëherë, kur e qeveriste Kosovën e madje edhe tash brenda Scheveningen-it, që pisllëqet e veta t’ua mvesh shokëve të tij.

Kjo është dhe arsyeja e endjes së Koçi Xoxes së Kishnarekës nëpër gjykata, nëpër gazeta dhe emisione «bombastike» për gati një dekadë.

Në këtë lojë të pistë kanë marrë pjesë edhe disa gazetarë mercenarë roli i të cilëve ishte dhe vazhdon të jetë, jo zbardhja e të vërtetës por fshehja e gjysmës së saj.

Siç del «nga brendia e llaptopit të Bllacës», ky nuk është llaptopi i tij, por i Elmi Reçicës me shokë. Të cilët, edhe përmes piunëve e spiunëve të tyre gjithandej, pra edhe në medie, vazhdojnë me përpjekjet kriminale për të përlyer njerëz, për të shitur mjegull dhe për të krijuar kaos.

Por u ka dalë boja kaherë dhe me ka krejt.

D. Dy fjalë për mbyllje

Unë Nazim Bllacën nuk e kam takuar për ta urdhëruar që të vrasë shqiptarë, as që t’i shantazhojë e as t’i zhbirilojë ata, as t’i zhvatë e plaçkitë për mua, as t’ua marrë pronat, as të dëshmojë në Hagë apo kudo qoftë tjetër.

E kam takuar për t’u informuar për tri dosjet që i përmenda më sipër, të cilat për mua ishin shumë të rëndësishme jo vetëm në rrafshin personal por edhe profesional.

Përndryshe, siç del nga llaptopi i Shikut, Bllaca kishte komunikuar nga Dubrava me prokurorë e agjentë të Serbisë.

Nëse i besohet asaj që u shpërfaq në Debat plus, atëherë po del se me Burgun e Dubravës, me drejtorinë e tij dhe me krejt Kosovën, pra edhe me Shikun, madje edhe pas përfundimit të Luftës e këtej, nuk paskëshin udhëhequr shqiptarët, por serbët.

E unë mendoj se në këtë lojë të neveritshme Bllaca ishte dhe vazhdon të jetë vetëm një top tenisi që e përplasnin dhe vazhdojnë ta përplasin akoma sa andej e sa këndej, së pari kupola e Prontomafisë, po edhe shërbimet sekrete, ku edhe AKI-a, shpresoj, ta ketë luajtur rolin e vet ligjor.

Jam i bindur se Nazim Bllaca është figura më tragjike e Sagës që quhet Gjykatë Speciale. E kanë shti me vra shqiptarë e mos me lanë të zezë pa bâ, dhe tash, Prontomafia përpiqet t’ia ngarkojë të gjitha gjynahet e kësaj bote në shpindë dhe ta përdorë si leckë për t’i «pastruar» duart, biografitë dhe dosjet e saj të pista.

Te njerëzit që kanë dije, kurriz e ndërgjegje kjo farsë e neveritshme mafiozo-mediale nuk kalon.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit