Sipas raporteve të paaudituara, pjesa më e madhe e të hyrave të Vetëvendosjes ka ardhur nga buxheti i shtetit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet e paaudituara të deklarimit financiar të fushatës zgjedhore të subjekteve politike për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të mbajtura më 12 tetor 2025.
Nga ky raport del se Lëvizja Vetëvendosje (VV) e Albin Kurtit ka shpenzuar 992 mijë e 562 euro e 74 centë për fushatën e zgjedhjeve lokale. Sipas të dhënave për periudhën 9 qershor – 9 nëntor 2025, VV ka realizuar të hyra totale prej 604 mijë e 13 euro e 40 centë. Pjesa më e madhe e të hyrave ka ardhur nga buxheti i shtetit, në vlerë prej 567,451.40 euro, ndërsa nga donacionet dhe kontributet në të holla janë deklaruar 36 mijë e 680 euro.
Shpenzimet më të mëdha janë realizuar në kategorinë e reklamave, reprezentacionit dhe konferencave, me gjithsej 802 mijë e 265 euro e 49 centë, duke përfshirë qiratë e hapësirave, ushqimin, reklamat në media dhe shpenzime promovuese të tjera. Shpenzimet për transport kapin 118,468.75 euro, ndërsa për shpenzime të përgjithshme janë shpenzuar 56,676.01 euro. Pagat dhe kompensimet kanë arritur në 2,225 euro.
Në fund të periudhës raportuese, VV ka pasur 288,720.89 euro para dhe ekuivalentë të parasë, krahasuar me 731,554.10 euro në fillim të periudhës. Ndërkohë, detyrimet afatshkurtra arrijnë në 388 mijë e 431 euro e 34 centë, kryesisht ndaj operatorëve privatë për shërbime reklamuese dhe qira.








