LVV-ja ka reaguar përmes një komunikate ndaj gjuhës së Sami Lushtakut, kryetar i Skenderajt, i cili e ofendoi Adriana Matoshin, deputet e VV.
VV-ja ka vlerësuar se gjuha e Lushtakut është dëshmi e panikut.
“Komunikatë – Gratë për VETËVENDOSJE!
Kur Sami Lushtaku del e flet për “kudra që duhen lidhur”, nuk ka nevojë për shpjegime shtesë. Ai vetëm tregon se sa lehtë e sheh nënçmimin e qytetarëve dhe sa natyrshëm i vjen t’i trajtojë njerëzit si objekte për t’u urdhëruar e disiplinuar sipas humorit të tij.
Ajo që thotë Lushtaku lidhet drejtpërdrejt me praktikën e tij kontrolluese, por edhe me bindjen se gratë janë të manipulueshme, të drejtuara nga dikush tjetër dhe të ofendueshme sipas nevojës së retorikës së tij. Ironia e zezë është se për të, gratë janë objekt i thjeshtë nënçmimi, ndërkohë që prania e tij në politikë është një ofendim për demokracinë: regres, turp dhe dëmtim i hapur për subjektin që pretendon se e udhëheq, e mban të lidhur dhe e kontrollon njeri për njeri.
Po aq ironike është se dikush që ka kaluar vite duke i ikur drejtësisë, duke përzier politikën me frikën dhe duke mbijetuar në hijen e së kaluarës, sot kërkon të japë “leksione” për kontroll të popullit. Në çdo demokraci normale, gjuha e tij do të ishte eksponat muzeal. Vetëm këtu ende del nëpër studio si “ekspert” i lidhjes së kudrave.
Kosova nuk është stallë dhe as kooperativë e kohëve të errëta. Qytetarët nuk janë “kudra”; është dikush tjetër që ka mbetur i bllokuar në mënyrën primitive të kategorizimit të njerëzve.
Kur humbet argumenti, mbetet vetëm gjuha e dhunës. Deklarata të tilla dëmtojnë vetëm autorin e tyre. Në vitin 2025, këto britma nuk janë shenjë force, por dëshmi e panikut që po e mbyll kapitullin politik.
Gratë për VETËVENDOSJE!” – ka shkruar VV-ja.






