Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke lënë në fuqi vendimin që i jep të drejtë Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për organizimin e tubimit politik në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Çështja kishte të bënte me një mosmarrëveshje për përdorimin e të njëjtit lokacion gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme të planifikuara për 7 qershor 2026. LVV kishte kërkuar leje për mbajtjen e tubimit në të njëjtën datë dhe vend, por kërkesa e saj ishte refuzuar pasi PDK e kishte rezervuar hapësirën më herët.
Sipas të dhënave të shqyrtuara nga gjykata, PDK kishte dorëzuar kërkesën për organizimin e aktivitetit politik më 30 prill 2026, ndërsa LVV e kishte paraqitur kërkesën më 8 maj 2026, duke kërkuar të njëjtin shesh dhe datë.
Gjykata Supreme vlerësoi se institucionet zgjedhore kishin vepruar në përputhje me rregullat në fuqi, të cilat parashohin se në rast konflikti për hapësira publike, përparësi i jepet subjektit politik që ka aplikuar i pari.
Po ashtu, u hodhën poshtë pretendimet e LVV-së se vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk ishte i arsyetuar mjaftueshëm, duke u konkluduar se ai është i bazuar në dispozitat ligjore përkatëse dhe është i qëndrueshëm.









