Vuçiç me retorikë lufte: Po shkojmë drejt konfliktit global, Serbia po përgatitet!

Për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Lufta e Tretë Botërore mund të ketë filluar. Pas editorialit që bëri me Edi Ramën për integrimin në BE, presidenti serb ka folur sërish për mediat gjermane dhe këtë herë për “Berliner Zeitung”, ku nuk kurseu sulmet ndaj Kosovës dhe Tiranës.

I pyetur nëse ekziston mundësia e një përshkallëzimi bërthamor, Vuçiç tha se shumë aktorë aktualisht po përpiqen të blejnë kohë, ndërsa përgatiten për konflikte më të mëdha dhe më gjithëpërfshirëse, duke shtuar se nuk mund të përjashtohet përdorimi i armëve bërthamore taktike.

“Parandalimi i Luftës së Tretë Botërore do të jetë i vështirë. Ndoshta ajo ka filluar tashmë, vetëm se ende nuk flasim zyrtarisht për të në këtë mënyrë. Lufta për naftën, gazin, mineralet, metalet e rralla dhe burime të tjera ka nisur prej kohësh. Nëse shikoni Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, do të vini re se të dyja nisën me konflikte rajonale. Vetëm më vonë u formuan aleanca më të mëdha ushtarake dhe politike, të cilat përfundimisht u përplasën drejtpërdrejt”, tha Vuçiç.

Duke folur për marrëdhëniet e Serbisë me administratën e Donald Trump, ai theksoi se Serbia është një vend i vogël dhe se është e kuptueshme që nuk është në qendër të vëmendjes së SHBA-së.

“Besoj se Serbia sot respektohet në shumë pjesë të botës. Në të njëjtën kohë, fuqive të mëdha rrallë u pëlqen kur vendet e vogla veprojnë në mënyrë shumë të pavarur. Pikërisht për këtë arsye shpesh jam objekt kritikash, në Evropë, në Rusi, por edhe në Shtetet e Bashkuara. Një vend i vogël që merr vendime vetë dhe nuk i nënshtrohet plotësisht të tjerëve rrallëherë pritet me entuziazëm nga aktorët e mëdhenj”, tha ai.

Sa i përket marrëdhënies së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me Donald Trump, Vuçiç u shpreh se kjo situatë i dukej “groteske”.

“Të jem i sinqertë, e gjithë kjo më është dukur disi groteske. Nuk do të ndiqja asnjë president, as atë amerikan. Personalisht mendoj se ajo që bëri zonja Osmani është e padenjë. Diçka e tillë për mua nuk do të ishte e pranueshme”, deklaroi ai.

I pyetur për blerjen e raketave balistike dhe reagimet e Kroacisë, Vuçiç tha se Kroacia ka krijuar një aleancë ushtarake me Prishtinën dhe Tiranën, ndaj së cilës Serbia ende nuk ka reaguar, megjithëse, sipas tij, arsyet për këtë aleancë janë të pakuptueshme.

“Serbia është një shtet sovran dhe ka të drejtë të modernizojë ushtrinë e saj për të garantuar sigurinë dhe integritetin territorial. Çdo gjë që bëjmë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe nuk ka për qëllim të dëmtojë asnjë vend në rajon. Përkundrazi, Serbia është një nga faktorët e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, gjë që e tregojmë çdo ditë përmes politikës së paqes, bashkëpunimit dhe integrimit ekonomik”, theksoi Vuçiç.

Duke folur për bombardimet e NATO-s në vitin 1999, ai u shpreh se Danimarka ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, ndërsa sot pret që vendet e tjera të respektojnë integritetin e saj territorial në rastin e Grenlandës.

“Shpesh thuhet se kutia e Pandorës u hap vetëm me sulmin rus ndaj Ukrainës. Unë e shoh ndryshe. Ajo është hapur që me sulmin ndaj Serbisë. Kur Perëndimi veproi ushtarakisht atëherë, flitej për demokraci dhe të drejta të njeriut. Kur shtete të tjera veprojnë sot në mënyrë të ngjashme, kjo quhet shkelje e së drejtës ndërkombëtare”, tha ai.

Ai shtoi se fuqitë e mëdha “të paktën duhet të pranojnë sinqerisht se nuk e duan më rendin ekzistues të Kombeve të Bashkuara”, duke theksuar se aktualisht po zhvillohet një përplasje për një rend të ri ndërkombëtar.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit