Vrasësi i Vanessa Ballan u dënua me burgim të përjetshëm. Bëhet fjalë për Bujar Fandajn, shqiptarin me origjinë nga Kosova, ndaj të cilit Gjykata e Trevisos dha vendimin ditën e sotme.
Vendimi erdhi në fund të një seance që nuk zgjati më shumë se dy orë, ndërsa Gjykata e Krimeve të Rënda e Tribunalit të Trevisos, dënoi me burgim të përjetshjëm Bujar Fandaj, 40-vjeçarin me origjinë nga Kosova, i cili rrëfeu vrasjen e 26-vjeçares Vanessa Ballan, një arkëtare supermarketi. Krimi ka ndodhur më 19 dhjetor 2023, në Riese Pio X.
Procesi gjyqësor dhe vendimi u ndoq nga prindërit e viktimës, e cila u vra ndërsa ishte shtatzënë. Bujar Fandaj, i përfaqësuar nga avokatet Chiara Mazzocato dhe Daria Bissoli, mori pjesë në dhënien e vendimit final që e mbyll në qeli përjetë.
“Nuk e prisnim këtë lloj dënimi, duke u nisur nga supozimi se vetë prokurori publik nuk e kishte kërkuar, kështu që gjykata shkoi përtej kërkesave të prokurorit publik”, shpjeguan Chiara Mazzocato dhe Daria Bissoli.
“Tani padyshim që nuk mund ta kuptojmë arsyen e këtij vendimi, dhe e vetmja gjë e mundshme është të presim, të jemi në gjendje ta lexojmë vendimin e plotë dhe në atë pikë do të kuptojmë dhe vlerësojmë para së gjithash nëse është rasti të paraqesim një ankesë dhe të vlerësojmë se cilat aspekte nuk u morën në konsideratë, nuk u nxorën në pah”, tha avokatët.
Bujar Fandaj nuk ka reaguar fare, ai ka heshtur, ndërsa i duhet të kalojë pjesën tjetër të jetës në burg.
Ndërkohë avokatja e familjes Ballan, Simone Guglielmin, tha se “drejtësia është vënë në vend nëpërmjet një gjykimi të drejtë dhe, për rrjedhojë, kemi një dënim të drejtë. i pandehuri përfundimisht do të apelojë, sepse besoj se në fund të fundit është një detyrë për mbrojtjen. Nuk mendoj se duhet të shtoj pyetje të tjera; gjithçka më duket mjaft e qartë”.
Si ndodhi krimi
Vanessa, një nënë e re që priste fëmijën e saj të dytë, u gjet e vdekur nga partneri i saj i ri në shtëpinë që ndanin. Trupi i saj mbante plagë të shumta thike, të shkaktuara me dhunë të papërshkrueshme (të paktën 8 goditje thike). Ajo ishte me leje lindjeje dhe punonte si arkëtare në një supermarket lokal.
Dyshimet u përqendruan menjëherë te Fandaj, me të cilën Vanessa kishte pasur një lidhje jashtëmartesore, e cila përfundoi në verën e vitit 2023 me kërkesën e saj. Fandaj nuk e kaprdirë ndarjen dhe nisi një fushatë ngacmimi kundër saj, duke kulmuar me përhapjen e imazheve intime, të dërguara partnerit të gruas së re me qëllim hakmarrjeje.
Për këto fakte, Fandaj ishte akuzuar për përndjekje dhe pornografi hakmarrëse. Ky veprim i dha fund përkohësisht sjelljes së tij ngacmuese. Por pauza ishte e përkohshme. Sipas rindërtimit të hetuesve, më 19 dhjetor 2023, Fandaj hapi me forcë një dritare dhe hyri në shtëpinë e gruas. Atje, i armatosur me një thikë, ai e goditi Vanessën tetë herë me thikë, duke e lënë të pajetë në dysheme. Më pas ai u përpoq të arratisej nga Italia.









