Prokuroria Speciale ka njoftuar sot se ka filluar një bastisje në nëntë lokacione të ndryshme në veri.
Burimet bëjnë të ditur se këto bastisje lidhen me vrasjen e doganierit të EULEX-it, një ngjarje që kishte ndodhur në shtator të vitit 2013. Audrius Senavicius, doganier lituanez, u vra më 19 shtator 2013 pas të shtënave ndaj dy automjeteve të EULEX-it në afërsi të Zveçanit.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se aksioni po zhvillohet në nëntë lokacione të ndryshme nën dyshimin për veprat penale:
Rrezikim i personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to, Vrasje e rëndë dhe Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Operacioni po mbështetet nga njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës.
“Prokuroria Speciale bashkë me Policinë e Kosovës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Publiku do të njoftohet me detaje, pas përfundimit të operacionit,” është theksuar në njoftim.









