Një tragjedi ka tronditur mbrëmë qytetin e Vushtrrisë, ku i riu Ardit Zymeri ka humbur jetën në rrethana tragjike.
Lajmi për ndarjen e tij të parakohshme ka prekur jo vetëm familjen dhe miqtë e tij, por mbarë komunitetin.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të birit tuaj të dashur, Ardit Zymeri. Ky rast ka tronditur dhe pikëlluar jo vetëm Vushtrrinë, por të gjithë Kosovën,” thuhet në telegramin e ngushëllimit nga Suzana Tahiri për familjen Zymeri.
Humbja e një të riu, plot ëndrra dhe shpresa, ka lënë një boshllëk të madh te të afërmit dhe ata që patën fatin ta njihnin. “Në këto momente të vështira, i lutemi Zotit që t’ju japë forcë, durim dhe maturi për të përballuar këtë dhimbje të pazëvendësueshme,” vazhdon mesazhi i ngushëllimit.
Familja Zymeri po përjeton momente të rënda, ndërsa qytetarë të shumtë dhe miq të Arditit kanë shprehur solidaritetin e tyre me ta. “Megjithë errësirën e kësaj dite, shpresojmë që kujtimet e bukura të jetës së tij të shndërrohen në dritë që ju udhëheq drejt paqes,” përfundon mesazhi.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zymeri dhe të gjithë ata që ndajnë këtë dhimbje të thellë.






