Kandidati i PDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka reaguar pas akuzave të degës së LDK-së në këtë qytet, se ai ka bashkëpunuar me serbët e fshatit Prelluzhë.
Idrizi ka thënë se ka marrë përkrahje nga ky komunitet, për shkak se, siç ka thënë, ka investuar në fshat dhe se ai nuk bën diskriminim për asnjë qytetar.
“Unë kam investuar në Prelluzhë, jam duke përgatitur rrugë për asfaltim. Nuk ka kuptim, është diskriminim i llojit të veçantë nëse thonë ata ashtu. Jam kryetar për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar Idrizi.
Ai ka mohuar të ketë koalicion me ndonjë subjekt politik, duke thënë se atë e ka me qytetarët.
“Te unë nuk ka çka me mshef. Jam shumë komod për këto zgjedhje. Absolutisht nuk trembem prej koalicioneve, sepse unë kam koalicion vetëm me qytetarët”, ka thënë Idrizi.
Ky reagim i Idrizit ka ardhur pasi dega e LDK-së në Vushtrri ka hedhur akuza ndaj tij dhe PDK-së se në rundin e parë të zgjedhjeve lokale ka marrë vota nga serbët e Prelluzhës.









