Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se gjatë gjithë karrierës së saj politike nuk ka bërë dhe nuk do të bëjë kurrë pazare që cenojnë interesat e Kosovës, duke theksuar se marrëdhëniet me aleatët janë ndërtuar mbi besimin dhe mbrojtjen e parimeve shtetërore.
Në një intervistë për emisionin “Çim Peka LIVE”, Osmani foli për angazhimin e saj në diplomacinë ndërkombëtare, takimet me liderë botërorë, përfshirë edhe presidentin amerikan Donald Trump, si dhe për ftesën e Kosovës në forume të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë Samitin e NATO-s dhe Bordin e Paqes.
Sipas saj, qëndrimet e qarta dhe refuzimi për të bërë kompromise në dëm të shtetit të Kosovës kanë qenë arsyeja pse partnerët ndërkombëtarë kanë zgjedhur ta takojnë dhe ta ftojnë në forume të rëndësishme.
“Jo vetëm për këto pesë vite e gjysmë, por gjatë gjithë angazhimit tim politik, nuk kam bërë dhe nuk do të bëj pazare në dëm të interesit të Kosovës. Përkundrazi, aleatët tanë e dinë shumë mirë që kanë biseduar me mua si presidente dhe qëndrimet e mia kanë qenë gjithmonë në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit”, tha Osmani.
Ajo theksoi se nuk ka pranuar kurrë marrëveshje që cenojnë sovranitetin, integritetin territorial apo kushtetutshmërinë e Kosovës, duke shtuar se edhe kur ka pasur mospajtime me partnerët ndërkombëtarë, ata janë trajtuar gjithmonë si aleatë.
Sipas Osmanit, në marrëdhëniet ndërkombëtare elementi më i rëndësishëm është besimi, ndërsa Kosova ka arritur ta ndërtojë këtë besim me partnerët e saj strategjikë.
Presidentja vuri në dukje se në Kosovë tradicionalisht presidentët kanë pasur një rol më të theksuar në politikën e jashtme sesa kryeministrat, duke e konsideruar këtë si pjesë të praktikës institucionale.
Ajo përmendi si shembull ftesën për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s në Uashington, edhe pse Kosova nuk është anëtare e Aleancës dhe nuk ka status partneri.
“Kam qenë presidentja e vetme që është ftuar në samitin e NATO-s pa qenë anëtare dhe pa qenë pjesë e partneritetit për paqe. Kjo tregon nivelin e besimit që është ndërtuar me aleatët”, u shpreh Osmani.
Presidentja theksoi gjithashtu pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, ku sipas saj vendi është trajtuar si shtet i barabartë edhe nga vende që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Në intervistë, Osmani foli edhe për dialogun me Serbinë, duke theksuar se sipas Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, drejtimi i këtij procesi i takon kryeministrit.
Ajo tha se ka qenë presidentja e parë që nuk ka dërguar përfaqësues të saj në dialog, duke i dhënë besim të plotë kryeministrit për ta udhëhequr këtë proces.
Megjithatë, Osmani pranoi se në disa raste ka marrë vesh për zhvillimet në dialog nga media, ndërsa qëndrimet e saj për çështje të rëndësishme, si marrëveshja e Brukselit, aneksi i Ohrit apo çështja e Asociacionit, ia ka përcjellë kryeministrit me shkrim kur i janë kërkuar komentet.









