Gjykata Komerciale e Kosovës ka refuzuar ankesën e kompanisë “Viva Fresh” dhe ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke konstatuar se kompania ka shkelur markën tregtare të gjigantit gjerman “Adidas AG” përmes importimit të 600 palë atleteve që përmbanin elemente të ngjashme me markën e njohur ndërkombëtare. Me aktgjykimin e formës së prerë në shkallën e dytë, gjykata ka urdhëruar që atletet të shkatërrohen nën mbikëqyrjen e Doganës së Kosovës, ndërsa të gjitha shpenzimet e transportit, magazinimit dhe asgjësimit do të mbulohen nga Viva Fresh.
Kontesti nisi pasi Dogana e Kosovës, në shtator të vitit 2024, kishte ndaluar një ngarkesë me 600 palë atlete të importuara nga Viva Fresh, duke dyshuar se ato cenonin markat tregtare të regjistruara të Adidas. Pas verifikimit të bërë nga vetë kompania gjermane, u konstatua se produktet ishin të falsifikuara, çka çoi në ngritjen e padisë në Gjykatën Komerciale.

Në vendimin e saj, Gjykata e Shkallës së Dytë vlerësoi se atletet e importuara përmbanin elementin karakteristik të markës Adidas, tri vijat paralele, të cilat gëzojnë mbrojtje ligjore dhe janë pjesë thelbësore e identitetit të kësaj marke. Sipas gjykatës, ndryshimet e vogla që ishin bërë në dizajn, si shtimi i një vije ndërmjet vijës së dytë dhe të tretë apo elementeve të tjera grafike, nuk ishin të mjaftueshme për ta dalluar produktin nga marka origjinale dhe nuk eliminonin mundësinë që konsumatorët të ngatërroheshin.
Gjykata theksoi se një konsumator mesatar mund të krijojë bindjen se produktet janë të Adidas, pasi ngjashmëria vizuale dhe konceptuale mbetet e lartë. Sipas trupit gjykues, përdorimi i tri vijave karakteristike krijon rrezik real konfuzioni për origjinën e produktit dhe cenon të drejtat e pronësisë intelektuale të kompanisë gjermane.

Viva Fresh kishte kundërshtuar padinë duke argumentuar se mallrat nuk kishin dalë asnjëherë në treg, pasi ishin ndaluar në terminalin doganor, se nuk ishte shkaktuar dëm dhe se produktet nuk ishin mjaftueshëm të ngjashme me markën Adidas. Kompania kishte pretenduar gjithashtu se fotografitë mbi të cilat ishte mbështetur gjykata nuk ishin të besueshme dhe kishte kërkuar angazhimin e një eksperti për të vlerësuar ngjashmërinë mes produkteve.
Megjithatë, Gjykata e Shkallës së Dytë i hodhi poshtë të gjitha këto pretendime. Sipas aktgjykimit, përveç fotografive të publikuara në media, në dosje ndodheshin edhe fotografitë dhe provat e siguruara nga Dogana e Kosovës, të cilat dëshmonin qartë ngjashmërinë e produkteve me markën Adidas. Po ashtu, gjykata vlerësoi se nuk kishte nevojë për ekspertizë profesionale, pasi vlerësimi nëse një konsumator mesatar mund të ngatërrohet nga pamja e produkteve është çështje që mund të konstatohet nga vetë gjykata.

Në arsyetimin e saj, gjykata theksoi se Viva Fresh nuk kishte paraqitur asnjë provë që do të vërtetonte origjinën e produkteve apo ndonjë autorizim nga Adidas për përdorimin e elementeve të mbrojtura të markës tregtare. Për këtë arsye, kolegji vlerësoi se gjykata e shkallës së parë kishte zbatuar drejt Ligjin për Markat Tregtare dhe kishte konstatuar me të drejtë se importimi i këtyre produkteve përbënte shkelje të të drejtave të Adidas.
Me vendimin e konfirmuar, Viva Fresh ndalohet që në të ardhmen të importojë ose të tregtojë produkte që përmbajnë elemente identike ose të ngjashme me markat tregtare të Adidas. Gjithashtu, kompania obligohet të organizojë dhe financojë shkatërrimin e 600 palë atleteve nën mbikëqyrjen e Doganës së Kosovës, si dhe t’i paguajë Adidasit shpenzimet procedurale në vlerë prej 528.40 euro.

Ndërkohë, gjykata nuk e miratoi kërkesën e Adidas për kompensim prej 10 mijë eurosh si ndëshkim për shkeljen e markës tregtare. Sipas arsyetimit të gjykatës, një masë e tillë nuk ishte proporcionale në këtë rast, pasi mallrat ishin ndaluar nga Dogana para se të dilnin në treg dhe nuk kishin arritur te konsumatorët. Megjithatë, gjykata vlerësoi se shkatërrimi i produkteve dhe ndalimi i çdo shkeljeje të ardhshme janë masa të mjaftueshme për mbrojtjen e të drejtave të markës tregtare të Adidas.

Ndryshe, pronar dhe drejtues i kompanisë “Viva Fresh” Sh.P.K., në kuadër të së cilës funksionon rrjeti i marketeve “Viva Fresh Store”, është Xhevdet Rexhepi, i cili zotëron 100% të aksioneve të kompanisë.








