Bilanci tragjik i përmbytjeve në Texas është rënduar ndjeshëm. Autoritetet kanë konfirmuar se numri i të vdekurve ka shkuar në 32, mes tyre 14 fëmijë. Tetë prej viktimave, pesë të rritur dhe tre fëmijë, mbeten ende të paidentifikuar. Kërkimet vijojnë ndërsa zyrtarët paralajmërojnë se shifrat mund të ndryshojnë sërish, për shkak të numrit të lartë të të zhdukurve.
Guvernatori i Texas-it, Greg Abbott, njoftoi se më shumë se 850 persona janë shpëtuar deri tani nga ekipet e emergjencës. Ai tha se shumë prej tyre u gjetën në situata ekstreme, duke u kapur në pemë për të shpëtuar jetën, ndërsa përmbytjet përfshinin zonat përreth lumit Guadalupe.
Ndërkohë, kampi veror për vajza “Camp Mystic” mbetet epiqendra e tragjedisë, pasi dhjetëra vajza të moshës 7 deri në 17 vjeç rezultojnë ende të zhdukura. Një nga lumenjtë pranë kampit është rritur me 22 këmbë (rreth 7 metra) brenda vetëm 2 orësh, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit. Ndërkohë, stacioni matës në zonë dështoi pasi regjistroi një nivel prej 29.5 këmbësh, duke lënë pjesën tjetër të përmbytjes jashtë kontrollit të matshëm.
Autoritetet e Texas-it janë përballur me kritika të forta për menaxhimin e situatës dhe për mungesën e evakuimeve, veçanërisht në kampin e vajzave. Ndërsa drejtues të emergjencës lokale mbrojnë veten duke thënë se reshjet ishin “shumë më ekstreme sesa parashikimet”, kompania e motit AccuËeather deklaroi se paralajmërime për përmbytje të rrezikshme ishin lëshuar disa orë përpara tragjedisë.
“Në kushte të tilla, autoritetet lokale duhet të kishin pasur kohë të mjaftueshme për të evakuuar kampet si Camp Mystic dhe për të shpëtuar jetë njerëzish,” thuhet në një deklaratë të AccuWeather, e cila përmendi gjithashtu se Texas Hill Country është ndër zonat më të rrezikuara për përmbytje të menjëhershme në SHBA për shkak të terrenit të thyer dhe kalimeve të shumta ujore.
Nga ana tjetër, kreu i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave të Texas-it, Nim Kidd, tha se “asnjë parashikim nuk ka treguar sasinë ekstreme të reshjeve që pamë”, duke mbrojtur veprimet e deritanishme të shtetit.
Ndërsa trupat e viktimave vijojnë të nxirren dhe lista e të zhdukurve mbetet e gjatë, komuniteti lokal dhe të afërmit e fëmijëve të kampit përballen me dhimbjen, ankthin dhe zemërimin për një tragjedi që shumë besojnë se mund të ishte shmangur. Situata në Texas mbetet kritike, ndërsa parashikimet për motin nuk përjashtojnë reshje të tjera në orët në vijim.









