Rezultati arrihet pa u numëruar ende votat me postë, me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
Lëvizja Vetëvendosje ka thyer rekordin e përqindjes së votave që kishte marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, duke shënuar një rezultat edhe më të lartë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Sipas rezultateve të deritanishme, kur janë numëruar gjithsej 94.83 për qind e votave, Vetëvendosje ka arritur 50.31 për qind të votave, duke e tejkaluar rezultatin e vitit 2021, kur kishte marrë 50.28 për qind nga votat e numëruara.
Ky rezultat është arritur ende pa u përfshirë të gjitha votat me postë, votat me kusht, si dhe votat e personave me nevoja të veçanta, çka lë të hapur mundësinë që përqindja të ndryshojë pas përfundimit të plotë të procesit të numërimit.
Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 456 mijë e 340 vota nga rezultatet e procesuara deri më tani, të cilat përfshijnë votat nga vendvotimet brenda Kosovës, por jo tërësisht ato nga diaspora dhe votat me postë.











