Gjatë muajve të fundit, zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk lanë paraqitje pa i vënë theks të veçantë dy çështjeve që, “nuk prisnin”: miratimit të buxhetit të shtetit dhe ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Të dyja paraqiteshin si procese me urgjencë të lartë politike e institucionale, të lidhura drejtpërdrejt me një afat kushtetues që po afrohej shpejtë – zgjedhjen e presidentit të ri para fillimit të marsit – dhe me rrezikun real që vendi të shkonte në zgjedhje të reja në rast të dështimit të këtij procesi.
“Ekziston mundësia… që të shkojmë prapë në zgjedhje… por… duhet… buxhetin e votuar”, deklaronte ndër tjera Kurti në një intervistë për KosovaPress në fillim të vitit. Në të njëjtën deklaratë, Kurti paralajmëronte se “ekziston mundësia… që ne të shkojmë prapë në zgjedhje.”
Deklarata të tilla ishin bërë edhe më herët në mënyrë edhe më direkte, nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Më 25 dhjetor 2025, gjatë një paraqitjeje në Kanal10, ai e përmblodhi çështjen në terma të prerë: “Me datën 4 mars ne duhet me zgjedhë Presidentin ose Presidenten e re. Nëse nuk zgjedhet, duhet me u shpërnda Kuvendi, apo jo?”
Paralajmërimet për zgjedhje u bënë edhe më të theksuara në fund të shkurtit.
Më 23 shkurt, pas takimit me Lumir Abdixhikun, Kurti tha se nëse Presidenti s’zgjidhet “zgjedhjet e reja do të mbahen në prill” , duke u zotuar: “Do të përpiqemi maksimalisht që t’i evitojmë zgjedhjet për shkak të moszgjedhjes së presidentit.”
Ai foli edhe për kufirin kohor “më së largu më 4 mars” dhe për rrezikun që edhe mungesa e “1 ose 2” deputetëve të çonte “në zgjedhje në prill.”
Më pas erdhi 5 marsi. Seanca për zgjedhjen e Presidentit dështoi për mungesë kuorumi, me vetëm 66 deputetë në sallë, ndërsa kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha: “Nuk ka kuorum… nuk mund të vazhdojmë me votimin.” Më 6 mars, Presidentja Vjosa Osmani e shpërndau Kuvendin, duke e çuar vendin drejt një cikli të ri zgjedhor.
Por pikërisht pas këtij akti të Presidentes Osmani ndodhi kthesa politike dhe retorike nga zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kurti u pozicionua hapur kundër rezultatit që vetë e kishte paraqitur më herët si pasojë të mundshme të moszgjedhjes së presidentit.
“Dekreti për shpërndarjen e Kuvendi nuk është kushtetuese, sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuar shprehimisht nga Kushtetuta. Kjo përben edhe një tjetër lëndë për Gjykatën Kushtetuese. Le të presim me qetësi dhe durim, ndërkohë që qeverisim mbar e mirë si gjithnjë”, tha Kurti.
Kurti insistoi se “nuk mund të flasim për zgjedhje të reja” pa Gjykatën Kushtetuese dhe se shpërndarja duhej të lidhej me dështimin e raundit të tretë, jo me moskryerjen e raundit të parë.
“Tash ndodhemi në një situatë ku s’mund të flasim për zgjedhje të reja pa folur Gjykata Kushtetuese meqë kemi mospajtime dhe kërkesë para këtyre. Ata kanë një materie. Deputetët s’i mbushën as katër javë të detyrës së tyre dhe sot në mëngjes u njoftuar nga mediat se u shpërnda Kuvendi”, është shprehur ai.
Dekreti i Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, pas dështimit të këtij institucioni për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, nxiti reagime të shumta dhe të ashpra nga deputetët e Vetëvendosjes. Ata e akuzuar Osmanin për, sipas tyre, plan të koordinuar me synim rrëzimin e qeverisë Kurti III.
Shefja e stafit të Presidentes Vjosa Osmani, Learta Hollaj, i cilësoi këto reagime si pjesë të një fushate të qëllimshme shpifjesh. Sipas saj, përpjekjet për ta implikuar Presidenten Osmani në një “puç, skemë apo plan të organizuar” jo vetëm që janë krejtësisht të pavërteta, por përbëjnë edhe tregues të një mendësie politike që, për interesa afatshkurtra, nuk heziton ta dëmtojë vetë shtetin.








