Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar ashpër pas raportimeve se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë duke vlerësuar pronat e ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Kjo organizatë thekson në reagim se vlerësimi i këtyre pasurive nuk është thjesht një hap procedural.
“OVL UÇK, i sheh me shqetësim të thellë dhe indinjatë të fortë raportimet se Dhomat e Specializuara të Kosovës po vlerësojnë pronat e ish-udhëheqësve të UÇK-së. Vlerësimi i këtyre pasurive nuk është thjesht një hap procedural. Përkundrazi, ky veprim braktis maturinë gjyqësore dhe krijon përshtypjen e një sistemi që nxiton drejt ndëshkimit para se të arrijë në një vendim. Veprime të tilla godasin drejtpërdrejt parimin e prezumimit të pafajësisë, ndërsa gërryejnë besimin e publikut në paanshmërinë dhe drejtësinë e gjykatës”.
Katërshja e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen tash e pesë vjet në paraburgim në Hagë, ndërsa po pritet verdikti final.









