spot_img
Sunday, December 7, 2025
spot_img

Vetëpërmbajtja e Perëndimit vetëm sa e ka trimëruar Rusinë, ja si mund të frenohet realisht Vladimir Putin

Vala e fundit e kërcënimeve bërthamore nga ana e Rusisë, ka nxitur thirrje të reja për ta kufizuar ndihmën ushtarake për Ukrainën, me synim parandalimin e përshkallëzimit ndërkombëtar të luftës ruso-ukrainase.

Administrata e Biden, së bashku me analistët si nga e djathta ashtu edhe nga e majta, kanë argumentuar se vetëpërmbajtja e Perëndimit është e nevojshme për të shmangur një luftë bërthamore. Paralajmërimeve të tilla, i ka bërë jehonë edhe vetë presidenti rus Vladimir Putin, i cili pretendoi në fund të majit se “përshkallëzimi i vazhdueshëm, mund të sjellë pasoja shumë të rënda”.

Megjithatë, shpërblimi i agresionit rus ka më shumë gjasa që ta përshkallëzojë konfliktin me Rusinë, sesa të krijojë çdo lloj paqeje të qëndrueshme. Thirrjet për kujdes po na verbojnë ndaj një rreziku shumë real: kufizimi i aftësisë së Ukrainës për t’iu kundërpërgjigjur agresionit rus, do ta bëjë më të mundshme një luftë më të gjerë evropiane apo botërore, duke i reduktuar kostot e perceptuara të përshkallëzimit rus.

Mbështetja ndaj një ndihme me pikatore për Ukrainën përballë sulmeve ruse, bazohet tek besimi se Rusia do ta shpërblejë në një farë mënyre sjelljen e matur të Perëndimit, dhe nëse ne tërhiqemi përballë kërcënimeve bërthamore, Moska nuk do të bëjë më kërcënime të tilla në të ardhmen.

Por nëse kërcënimet ruse me një luftë bërthamore, e detyrojnë Perëndimin të vendosë më shumë kufizime ndaj Ukrainës, atëherë pse vallë Rusia do të ndalojë së bëri kërcënime të tilla? Nëse ajo mendon se mund të shfaqë sjellje agresive pa ndonjë kosto, atëherë me shumë gjasa do të dojë të përfshihet në sjellje edhe më agresive.

Në fakt, fillimi i pushtimi në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, u provokua pjesërisht nga dobësia dhe vetëpërmbajtja dhe jo nga armiqësia e Perëndimit. Britania e Madhe bëri shumë pak për ta ndëshkuar Rusinë, pasi ajo vrau një shtetas ruso-britanik në territorin e saj në vitin 2006.

Fuqitë perëndimore u kundërpërgjigjën me një vetëpërmbajtje të jashtëzakonshme, edhe kur qeveria ruse shkeli haptazi normat kryesore ndërkombëtare duke pushtuar territorin sovran të Ukrainës dhe aneksuar Krimenë në vitin 2014. Në këtë rast, ndihma ushtarake amerikane mbeti e kufizuar.

Ndërkohë sanksionet kundër Rusisë, patën pak ndikim të dukshëm mbi ekonominë ruse. Në të njëjtën kohë, qeveria gjermane refuzoi të ndalte ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, që lidh Gjermaninë me kompaninë ruse Gazprom. Kështu, Rusia mbeti furnizuesja më e madh me gaz e Evropës.

Të dyja partitë kryesore atje, SPD dhe CDU, kanë shumë politikanë me marrëdhënie të ngushta me Rusinë. Politikanët francezë dhe ata italianë, si nga e djathta ashtu edhe nga e majta, i mbështetin raportet më të ngushta me Rusinë.

Vladimir Putin ka pasur lidhje të ngushta personale me liderët evropianë, duke përfshirë kryeministrin hungarez Viktor Orban, ish-kryeministrin italian Silvio Berlusconi dhe ish-kancelarin gjerman Gerhard Schroeder.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, nisën të dërgojnë pas shumë hezitimesh ndihmë ushtarake domethënëse për Ukrainën, dhe ndihmuan në trajnimin e ushtrisë ukrainase. Por refuzuan të dërgojnë armët e tyre më të përparuara, dhe nuk bënë asgjë për ta afruar Ukrainën drejt anëtarësimit në NATO.

Në muajt para pushtimit të shkurtit 2022, vetë media shtetërore ruse e pranoi se anëtarësimi i Ukrainës në NATO ishte “jorealist”, dhe se pavarësisht premtimeve të bëra në vitin 2008, “gjatë 12 viteve të fundit, Kievi…është larguar nga perspektiva anëtarësimit në aleancë”.

Megjithatë, vetëpërmbajtja e Perëndimit nuk u shpërblye. Përkundrazi, në vend se të ulte tensionet, Putini nisi pushtimin në shkallë të gjerë të vendit të tij fqinj. Qeveria ruse e bëri këtë jo si përgjigje ndaj kërcënimeve perëndimore, por gati me siguri sepse rusët supozuan se Perëndimi ishte shumë i dobët dhe pasiv për të reaguar në mënyrë efektive.

Tek e fundit, Putin kishte aleatë të rëndësishëm në elitën evropiane, dhe kontrollonte qasjen tek  burimet kryesore të energjisë. Vetëpërmbajtja e Perëndimi në kundërpërgjigje të aneksimit të Krimesë nuk e frenoi Rusinë, por ka shumë të ngjarë që të përshkallëzojë shanset e agresionit rus.

Dhe kështu është edhe sot. Fuqitë perëndimore, kanë bërë shumë pak për t’iu përgjigjur përpjekjeve të bashkërenduara  të Rusisë për të nxitur një kaos global, përfshirë këputjen e kabllove nënujore të komunikimit midis Lituanisë dhe Suedisë, dhe komplotet për të dërguar pajisje ndezëse në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Në rast se duam vërtet që ta pengojmë Rusinë nga pushtimi i vendeve sovrane dhe shkaktimi i destabilitetit në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, ne duhet t’ia bëjmë Moskës shumë të kushtueshme sjellje të tilla. Në fund të fundit, kjo është mënyra më e mirë për të parandaluar përshkallëzimin.

*Shënim: Lucan Ahmad Way, profesor mbi demokracinë në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Torontos dhe anëtar i Shoqërisë Mbretërore të Kanadasë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit